(VIDEO) BDI pret rritje të tensioneve pas heqjes së balancuesit
Bashkimi Demokratik për Integrim, nuk bëhet pjesë e qeverisë. Kështu ka deklaruar ish ministri i Ekonomisë nga rradhët e kësaj partie, Kreshnik Bekteshi. Ai për Radio Evropa e Lirë tha se ata respektojnë vullnetin e popullit e jo të ndonjë partie tjetër politike, duke aluduar në partinë e Hristijan Mickoskit, gjegjësishtë VMRO-DPMNE.
KRESHNIK BEKTESHI,ISH MINISTËR I EKONOMISË
“Sa i përket mundësisë së realizimit të koalicionit të BDI-së me VMRO-DPMNE-në, ju e dini, dhe këtë e ka thënë Ahmeti dhe të gjithë anëtarët e tjerë, se BDI është për respektimin e plotë të marrëveshjes Kornizë të Ohrit, për të cilën ne mendojmë dhe jemi të bindur dhe është treguar në praktikë se duke respektuar atë marrëveshje, vendi ynë ka pasur vetëm rezultate pozitive që nga viti 2001 e deri më sot, por për të qenë më fleksibël sa i përket një koalicioni të mundshëm, nëse nuk ka zgjedhje të reja, BDI nuk do të jetë pjesë e qeverisë dhe këtë e tha edhe kryetari Ahmeti. Ne duam të kemi besimin e qytetarëve dhe qytetarët të vendosin se kush duhet t’i përfaqësojë ata dhe jo vullnetin e ndonjë partie politike”.
Pas shfuqizimit të balansuesit, BDI pret që tensionet të rriten. Bekteshi thotë se ende po vazhdojnë bisedimet se kur do të nisin protestat e paralajmëruara prej kohësh. Ish ministri shtoi se kjo qeveri ka aq shumë skandale, që siç tha, edhe nëse protestohet duhet çdo ditë të mbahen protesta.
KRESHNIK BEKTESHI,ISH MINISTËR I EKONOMISË
“Bashkimi Demokratik për Integrim aktualisht është duke mbajtur takime në të gjitha degët dhe tashmë ka hapur një debat se si duhet të veprojë BDI-ja dhe të gjitha idetë dhe propozimet që vijnë nga baza e BDI-së dhe ftojmë qytetarët e tjerë të marrin pjesë në këtë. Mendoj se kjo qeveri bën çdo ditë aq skandale sa çdo ditë duhet të mbahet një protestë nga qytetarët. Dhe jo vetëm nga BDI. Përgjithësisht nga të gjithë qytetarët sepse të gjithë kanë shpenzime më të larta për gjithçka të nevojshme për jetën. Asgjë nuk funksionon. Fatkeqësisht, jemi në një situatë ku të rinjtë po vdesin edhe në spitale ku nuk mund të gjejnë kujdesin e duhur në sistemin tonë shëndetësor”.
Ndërkaq, i pyetur për ligjin e ri, të cilin pritet ta prezantojnë nga koalicioni VLEN,që sipas tyre është për përfaqësim së drejtë dhe adekuate, Bekteshi theksoi BDI do ta mbështesin Ligjin e Përfaqësimit të Drejtë vetëm nëse garanton të drejtat e të gjitha komuniteteve.
Samir Mustafa /SHENJA/