(VIDEO) BDI: Mexhitit iu morën kompetencat, MMJPH: Mexhiti i ka kompetencat nga qytetarët

Partitë politike nuk kursejnë as vikendin për të drejtuar akuza ndaj njëra tjetrës, ku theks të veçantë i kushtojnë korrupsionit. Bashkimi Demokratik për Integrim, akuzonë ish nënkryetarin e tyre, tani më Kryetar i Lëvizjes Demokratike dhe njiherit zv/kryeministër dhe Ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapsinor, Izet Mexhiti, se siç thonë Integristët, pas një kontrolli nga Inspektorati për Administratë, është vërtetuar keqpërdorimi i detyrës zyrtare nga ana e Mexhitit dhe stafit të tij në kabinet. Sipas tyre, Mexhiti është zhveshur nga të gjitha kompetencat e tij, të cilat janë transferuar në Drejtorinë e Mjedisit.
BASHKIMI DEMOKRATIK PËR INTEGRIM
“Me këtë vendim, drejtori i ri është urdhëruar që të mos dërgojë për nënshkrim në kabinetin e Mexhitit asnjë dokument nga sektorët kryesorë të ministrisë, përfshirë Sektorin e Natyrës, Ujërave, Mbeturinave, Mjedisit dhe Ndotjes Industriale. Këta sektorë përbëjnë mbi 70% të kompetencave të Ministrisë së Mjedisit, duke e bërë këtë akt një zhvillim të paprecedentë”.
BDI thotë se ky veprim ka ardhur si pasojë e ankesave dhe denoncimeve të shumta nga qytetarë dhe kompani, të cilët janë kushtëzuar nga kabineti i Mexhitit për të dhënë ryshfet në këmbim të shërbimeve administrative.
Ndërkaq, për këto akuza kanë reagur nga Zyra për komunikim me publikun e Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, të cilët theksojnë se Izet Mexhiti, i ka të gjitha kompetencat nga qytetarët, Ligji dhe Kushtetuta për të menaxhuar me institucionet, me kapacitet të plotë, dhe me projekte që realizohen në të mirë të qytetarëve.
MMJPH
“Lidhur me kompetencat që cek BDI, i përkujtojmë se kompetencat dhe ingerencat ndaj inspektorateve që iu morrën atyre para 10 viteve, kjo qeveri i ka kthyer nën ministritë e ndryshme, aty ku e kanë vendin, për të cilën gjë BDI nuk guxoi ta thotë as edhe një fjali të vetme, nga frika se po i humb benefitet e një grupi nga kupola e tyre. Këto inspektorate, tani janë rikthyer nën ingerencat e ministrive nga qeveria aktuale”.
Nga atje thonë se Bashkimit Demokratik për Integrim kompetenca e vetme që i ka mbetur është ajo se personat nga Lista e Zezë amerikane edhe më tej ua kontrollojnë kanalet e komunikit me publikun.
Samir Mustafa /SHENJA/