(VIDEO) BDI mbajti Kongresin e pestë, miratoi katër rezoluta
Rezoluta për përforcimin e karakterit unitar të shtetit dhe konsolidimin e barazisë funksionale, për shtetin e së drejtës, drejtësinë e pavarur dhe rikthimin e besimit në institucione, për marrëveshjen kombëtare për përparim dhe zhvillimin e qëndrueshëm të vendit si dhe atë për integrimin evropian, janë katër rezilutat që ka mirtaur sot Bashkimi Demokratik për Integrim në kongresin e pestë të partisë. Sipas paralajmërimeve të BDI-së, ky kongres pritet të sjellë reforma brenda strukturave partiake. Në fjalimin e tij, lideri i partisë Ali Ahmeti tha se, BDI po hyn në një fazë të re politike: më e hapur, më moderne dhe më e përgjegjshme. Ai i ka bërë thirrje të rinjve, grave, profesionistëve dhe diasporës të bëhen pjesë aktive e këtij procesi shtetformues.
Ali Ahmeti, Lider i BDI-së
“Ky Kongres nuk është vetëm një stërvitje organizative brenda partiake. Por, është një ndalesë reflektimi dhe një pikë nisjeje për fazën e ardhshme të vendit tonë. Bashkimi Demokratik për Integrim nuk lindi si parti e zakonshme. Ne lindëm nga nevoja për paqen, nga kërkesa për barazi, dhe nga bindja e thellë se ky vend mund të jetë i qëndrueshëm vetëm nëse është i drejtë dhe me mundësi të barabarta”.
Ahmeti më tej, duke folur për funksionimin aktual të shtetit, tha se, se uniteti i shtetit nuk mund të ndërtohet mbi “shumicë mekanike dhe majorizim”, por mbi legjitimitet të dyfishtë, respekt të ndërsjellë dhe besim ndërkomunitar, në frymën e Marrëveshjes Paqësore të Ohrit. Në këtë drejtim, ai propozon tre masa kyçe për funksionimin e shtetit – Zgjedhjen e Qeverisë me shumicë të dyfishtë që nënkupton që çdo qeveri e re të votohet me badenter. Zbatimi i parimit të Badenterit në Gjykatën Kushtetuese dhe thellimi të decentralizimit dhe vetëqeverisjes lokale.
Ali Ahmeti, Lider i BDI-së
“Ky propozim politik synon të konsolidojë unitetin e shtetit jo përmes dominimit të shumicës, por përmes partneritetit të barabartë ndëretnik, funksionimit të drejtë të institucioneve dhe fuqizimit të pushtetit lokal. Kjo është rruga e vetme për një Maqedoni të Veriut stabile, funksionale dhe të drejtë për të gjithë qytetarët e saj”.
Kongresi i BDI-së vjen pas mbajtjes së zgjedhjeve lokale, ku kjo parti dhe koalicioni që udhëhiqte pësuan humbje të thellë. Nga partia kanë theksuar se ky takim përbën një moment kyç për përcaktimin e drejtimit të ardhshëm politik, organizativ dhe programor.
Teuta Buçi /SHENJA/

