(VIDEO) BDI: Komuna e Çairit t’i paguajë 850 administratorët e zgjedhjeve
Bashkimi Demokratik për Integrim ka vazhduar me akuza ndaj komunës së Çairit. BDI shpreh shqetësimin e thellë lidhur me mos-pagesën e rreth 850 administratorëve dhe anëtarëve të organeve zgjedhore, të angazhuar në zgjedhjet lokale në Komunën e Çairit.
Bujar Sopa nga BDI, theksoi se sipas Kodit Zgjedhor të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Komuna e Çairit ka detyrimin ligjor tí paguajë këta persona, ndërsa deri tani ai tha se kanë kaluar gati tre muaj nga përfundimi i zgjedhjeve dhe pagesat nuk janë realizuar.
BUJAR SOPA, BDI
“Mjetet për këtë qëllim ishin të planifikuar në buxhetin e vitit 2025, por komuna e Çairit ka dështuar t’i realizojë. Kjo përbën papërgjegjësi të rëndë politike dhe dështim serioz në menaxhimin e financave publike”.
Ai theksoi se komunat që janë në gjendje shumë më të rëndë financiare se Çairi, kanë arritur ti përmbushim oblgimet ndaj komisioneve të tyre zgjedhore, ndërsa njerëzit që punuan për zgjedhjet në Çair, ende nuk e dinë se kur dhe as nëse do t’i marrin parat e tyre.
BDI kërkon pagesë të menjëhershme për të gjithë anëtarët e organeve zgjedhore, llogaridhënie nga udhëheqësia e Komunës së Çairit dhe respektim të ligjit dhe dinjitetit të atyre që shërbyen në procesin zgjedhor. Sopa tha se BDI nuk do të heshtë përballë kësaj siç e quan ai, padrejtësie dhe se tha se do të përdorë çdo mjet politik dhe institucional për ta detyruar Komunën e Çairit të zbatojë ligjin.
Samir Mustafa /SHENJA/

