(VIDEO) BDI: Edhe partitë tjera duhet të reformohen

Anëtarët e Kryesisë Qendrore të BDI-së janë mbledhur sot në Reçicë të Vogël, ku është diskutuar për procesin e reformës gjithëpërfshirëse dhe procesin e vetingut të partisë. Partia thekson se e udhëhequr nga Ali Ahmeti, kjo nismë nënvizon përkushtimin për të vendosur standarde shembullore për sjelljen politike.
Nënkryetari i BDI-së, Arbër Ademi ka deklaruar se kjo parti ka qenë nismëtare për fillimin e Vetingut, duke propozuar e para edhe Ligjin për Veting pë politikanë.
ABËR ADEMI, NËNKRYETAR I BDI-SË
“Sot, anëtarët e kryesisë sonë qendrore fillojnë t’i nënshtrohen procesit të vetingut dhe nënshkrimit të Kodit të Praktikës së Mirë dhe Integritetit, duke vazhduar kështu procesin e reformës së BDI dhe duke riafirmuar përkushtimin e tyre ndaj transparencës dhe udhëheqjes etike. Ky akt është një dëshmi e vendosmërisë sonë për të transformuar partinë tonë dhe për të vendosur një pikë referimi për politikën në të gjithë rajonin”.
Ndërkohë, BDI ka njoftuar se gjatë këtij takimi kryetari Ahmeti tha se strategjia gjithëpërfshirëse e reformës e miratuar nga BDI përfshin jo vetëm deputetë, por edhe zyrtarë të lartë partiakë dhe drejtues të degëve lokale të partisë. Kjo qasje gjithëpërfshirëse sipas tij, është krijuar për të forcuar qëndrimin kundër korrupsionit të partisë dhe për të promovuar një kulturë integriteti brenda të gjitha proceseve politike.
Anida Murati /SHENJA/