(VIDEO) BDI e shqetësuar për vlerësimin negativ që Komisioni Evropian i dha RMV-së

(VIDEO) BDI e shqetësuar për vlerësimin negativ që Komisioni Evropian i dha RMV-së

 

Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar ashpër ndaj raportit të fundit të Komisionit Evropian për Maqedoninë e Veriut, të publikuar në kuadër të Paketës së Zgjerimit për vitin 2025. Nënkryetari i BDI-së, Arbër Ademi, deklaroi se raporti është një ndër vlerësimet më negative të dekadës së fundit dhe pasqyron stagnimin e thellë institucional dhe mungesën e reformave në vend.

ARBER ADEMI, NËNKRYETAR I BDI-SË

“Komisioni Evropian ka folur me një gjuhë të qartë dhe pa ekuivok. Termat që përdoren në raport: “pa progres”, “progres i kufizuar”, “nuk u morën masa” dhe “zbatimi mbetet i dobët”, përbëjnë një diagnostikim të rëndë të gjendjes së brendshme të shtetit. Këto nuk janë interpretime politike, por vlerësime zyrtare nga vetë Bashkimi Evropian”..

Ai tha se qeveria ka dështuar të përmbushë kushtet bazë për hapjen e negociatave, përfshirë klasterin e parë që lidhet me sundimin e ligjit. Ademi theksoi se një ndër kritikat kryesore të raportit, është mosrealizimi i ndryshimeve kushtetuese, të cilat janë kusht i vendosur nga Këshilli Evropian. Ai shtoi se mungesa e progresit në drejtësi, luftën kundër korrupsionit dhe reformën e administratës publike tregon se institucionet vazhdojnë të jenë të politizuara dhe jo funksionale.

ARBER ADEMI, NËNKRYETAR I BDI-SË

“Po aq shqetësuese është edhe gjendja në sundimin e ligjit, pavarësinë e gjyqësorit dhe luftën kundër korrupsionit. Komisioni konstaton se nuk ka pasur asnjë progres në këto fusha thelbësore. Korrupsioni mbetet i përhapur, ndërsa ndikimi politik në sistemin e drejtësisë vazhdon të jetë realitet i përditshëm. Këto janë arsye të drejtpërdrejta pse Maqedonia e Veriut nuk po ecën përpara në procesin e integrimit evropian”.

Raporti evidenton gjithashtu dobësime në fushën e të drejtave themelore, lirisë së shprehjes dhe kushteve në burgje, ndërsa ekonomia, sipas Komisionit, përballet me inflacion të lartë dhe efikasitet të ulët në përdorimin e fondeve të BE-së. Ademi paralajmëroi se Maqedonia e Veriut po humb terren ndaj vendeve të tjera të rajonit dhe rrezikon të mbetet jashtë valës së ardhshme të zgjerimit. Ai theksoi se raporti duhet të shërbejë si sinjal alarmi për institucionet dhe kërkoi veprim të menjëhershëm, përgjegjësi dhe vullnet politik për reforma. /SHENJA/

 

MARKETING