(VIDEO) BDI: Avullohen “projektet e mëdha” të prezantuara gjatë fushatës!
BDI ka ngritur sot pikëpyetje nëse është duke u ngritur një model i paprecedentë i keqpërdorimit të institucioneve publike. Sipas partisë opozitare shqiptare, projektet shpallen me bujë për qëllime elektorale, ndërsa pas zgjedhjeve gjithçka anulohet, bllokohet ose zhduket!
Visar Sulejmani, nga BDI ka folur në një konferencë për media për një manipulim të pretenduar në rastin e Universitetit “Nëna Tereze”.
VISAR SULEJMANI, BDI
“Ky nuk është një universitet i rastësishëm: Është institucion për të cilin kemi luftuar me vite. E kemi themeluar si universitet shtetëror dhe publik në Shkup. E kemi zgjeruar. Ia kemi siguruar lokacionin – kazermën “Ilinden”. E kemi rinovuar dhe kem krijuar kushte reale për mësim dhe punë shkencore. Pas ndërrimit të pushtetit, hapi i parë ishte kapja politike. Universiteti u shndërrua në bazë partie. Pastaj erdhi mashtrimi më i madh. Para zgjedhjeve u inskenua “fillimi i ndërtimit” të kampusit të ri universitar. U soll vetëm një makineri ndërtimi – një buldozer – për kamera. U quajtën “punë përgatitore”, por në realitet u shkatërrua terreni dhe u prishën kushtet ekzistuese”
Sulejmani ka thënë se sot nuk ka leje ndërtimi nga Ministria e Transportit, projekt të miratuar, kontratë reale ndërtimi, afat kohor, e as transparencë financiare. Sipas BDI-së, rezultati është i rëndë: është dëmtuar toka, janë përkeqësuar kushtet e punës në universitet, dhe nuk ka asnjë perspektivë zhvillimi. /SHENJA/

