(VIDEO) Azir Aliu: Komisioni ka pranuar dosje mjekësore për 8 raste

Pas shqetësimeve që tronditën opinionin publik për vendosjen e dyshimtë të stendave në institucionet shëndetësore, ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, gjatë ditës së sotme në një preskonferencë për mediat kishte një deklaratë të qartë dhe të prerë. Ai bëri të ditur se është formuar një komision i brendshëm me ekspertë të fushës së mjekësisë, juridikut dhe ekonomisë, i cili tashmë ka pranuar dosjet e para mjekësore për shqyrtim. Sipas tij, ky është vetëm fillimi i një terapie për sistemin shëndetësor me synim rikthimin e besimit të qytetarëve.
Azir Aliu, ministër i Shëndetësisë
“Dua të informoj se në Komisionin e brendshëm janë dorëzuar dosje mjekësore për 8 raste. Komisioni do t’i shqyrtojë të gjitha me hollësi, me qëllim që të përcaktohet e vërteta mbi bazën e fakteve mjekësore. Komisioni nesër do të mblidhet me këto dosje, dhe ato do të jenë rasti i parë për të cilët do të veprohet. Njëkohësisht, dua të informoj që Ministria e Shëndetësisë ka kërkuar edhe mbikqyrje të jashtëzakonshme profesionale nga ana e odës mjekësore”.
Ndërkaq, i pyetur në lidhje me mungesën e anesteziologëve të kardiokirurgjisë, ministri Aliu foli hapur edhe për problemet e thella që po përballon kardiokirurgjia në vend, ku mungesa e kuadrit profesional dhe e anesteziologëve ka kufizuar numrin e operacioneve. Aliu theksoi se kjo nuk është një situatë që zgjidhet brenda natës, por kërkon plane afatgjata dhe bashkëpunim ndërkombëtar për të rikthyer normalitetin në sallat e operacionit.
Azir Aliu, ministër i Shëndetësisë
“Në aspekt të kardiokirurgjisë është e vërtetë që është i limituar numri i ndërhyrjeve kirurgjike për shkak të ekipit i cili nuk është i kompletuar. Në moment që të anashkalohet ky proces, a është proces i cili nuk mund të zgjidhet menjëherë, për shkak se kërkon disa vite që ju të krijoni ekspert anesteziolog. Ne sot patëm një takim me drejtorin e kardiokirurgjisë por gjithashtu me drejtorin i cili momentalisht nga Sllovenia është në Maqedoni dhe drejtori i kardiokirurgjisë në Slloveni që të bëjmë një memorandum bilateral ndërmjet dy shteteve, me qëllim që të bëjmë mobilitet të mjekëve dhe të motrave medicinale ndërmjet dy shteteve. Kjo do të zvogëlojë pak presionin e kuadrit profesional në kardiokirurgji por nga ana tjetër do të jetë një mundësi e mirë për të mësuar teknika të reja që hasim ndaj problemeve dhe ndaj sëmundjeve”.
Ministri tutje tha se ky është një problem që është krijuar me vite, ndaj dhe mosprojektimi mirë i proceseve të specializantëve dhe subspecializantëve përgjatë këtyre viteve sipas tij, na solli deri në situatë që të mos kemi në këtë rast një profesion, një profil mjeku, nga ku shtoi se kemi disa profile të mjekëve për të cilët vërtet kemi nevojë si shtet në Ministrinë e Shëndetësisë por që nuk i kemi ato.
Ndaj dhe siç tha Aliu, ky problem nuk mund të zgjidhet pasi që kaq është numri i anesteziologëve në shtet, nga ana tjetër tha se për atë shkak do të mundohen që të bëjnë marëdhënie profesionale bilaterale ndërmjet shteteve të ndryshme në regjion,nga ku dhe krijimi i politikave prej tani siç tha ai, do të jetë politika afatgjate për kapacitete njerëzore.
Anida Murati /SHENJA/