(VIDEO) Automjete të vjetra do të vihen në përdorim për shuarjen e zjarreve

(VIDEO) Automjete të vjetra do të vihen në përdorim për shuarjen e zjarreve

Mjetet e vjetra ushtarake dhe policore që nuk janë përdorur prej vitesh janë vënë në funksion për shuarjen e zjarreve. Bëhet fjalë për 38 automjete që kanë qenë të papërdorshme dhe të nxjerra jashtë përdorimit, por tani do të jenë nën kompetencën e Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim dhe do të përdoren për intervenime kundër zjarreve në vende që vështirë arrihen.

STOJANÇE ANGELLOV, DREJTOR I DREJTORISË PËR MBROJTJE DHE SHPËTIM

“Për herë të parë kemi një numër shumë më të madh të resurseve për shuarjen e  zjarreve. Bëhet fjalë për mjetet më të mira të terrenit, të cilat me një ton e gjysmë ujë mund të arrijnë atje ku njerëzit mezi mund të depërtojnë”.

Kryeministri Hristijan Mickoski tha se këto mjete nuk janë përdorur për tetë vite dhe se për rikthimin e tyre në funksion nuk janë shpenzuar para nga buxheti, por kjo është realizuar me donacione nga kompani të ndryshme.

HRISTIJAN MICKOSKI, KRYEMINISTËR

“Bëhet fjalë për automjete policore dhe ushtarake që nuk janë ndezur më shumë se tetë vjet. E patë demonstrimin, e patë se si duket sot e gjithë kjo dhe mund të them se jemi shumë më të përgatitur për të pritur sezonin e zjarreve që pritet të fillojë shumë shpejt ose ka filluar, sepse kanë filluar të shfaqen disa zjarre në pjesë të ndryshme të territorit të shtetit”.

Mickoski sqaroi se këtë javë pritet të arrijë nga servisi edhe avioni i dytë, ndërsa i treti pritet të arrijë nga fundi i muajit ose në fillim të gushtit. Kryeministri po ashtu tha se edhe katër helikopterë, dy policorë dhe dy ushtarakë janë gjithashtu të gatshëm për intervenim në rast zjarresh apo fatkeqësish natyrore.

/SHENJA/ 

MARKETING