(VIDEO) Asnjë ditë burg për djegien e 14 personave në spitalin modular të Tetovës

(VIDEO) Asnjë ditë burg për djegien e 14 personave në spitalin modular të Tetovës

Ish drejtori i spitalit të Tetovës, Florim Besimi, ish drejtori ekonomik i spitalit Artan Etemi janë shpallur fajtor për zjarrin në spitalin modular të Tetovës, ndërsa mjeku Boban Buçevski, është liruar nga akuza.

Drejtorët Besimi dhe Etemi janë dënuar me 1 vit e gjashtë muaj, ndërsa u është shqiptuar dënim me kusht.

“Dënimi i shqiptuar nuk do të zbatohet nëse në afat prej tre viteve nuk do të bëjnë vepër të re penale”, tha gjykatësi.

Sipas gjykatësit Jordan Vellkovski, ata kanë shkaktuar rrezik për jetën e pacientëve dhe familjarëve të cilët kanë qenë në spital në momentin kritik. Vdekja e të gjithë personave është nga djegia. Bashkë me Buçevskin edhe Spitali klinik është liruar nga akuza për veprën “mosveprim sipas rregullave shëndetësore”. Spitalit klinik i është shqiptuar gjobë prej një milion denarëve.

Pas daljes nga gjykata, ish drejtori Florim Besimi, tha se ai ndjehet i pafajshëm dhe se nuk e kupton vendimin e gjykatës.

Florim Besimi, ish drejtori i Spitalit të Tetovës

“Ju them me plot të drejtë, se dëshminë dhe faktet të cilat janë dorëzuar në Gjykatë dëshmojnë pafajsinë time. Në asnjë moment unë nuk kam pasur lidhje me spitalin modular. As e kam realizuar, as e kam mbikëqyr, prandaj nuk e kam të qartë këtë vendim. Arsyeja e vetme është se nuk ka paru mjete kudër zjarrit”.

Të akuzuarit duhet të paguajnë një paushall penal prej 4.000 denarëve.

Ky është vendimi i shkallës së parë për këtë çështje dhe ka mundësi që mbrojtja apo prokuroria të  ankohen në Gjykatën e Apelit.

Më 8 shtator të vitit 2021 u dogj spitali modular i Tetovës  ku po trajtoheshin paciente të prekur nga koronavirusi. Bashkë me spitalin u dogjën edhe 14 persona, 12 paciente dhe 2 të afërm të tyre.

Enis Murtezi /SHENJA/

 

MARKETING