(VIDEO) ASH e shqetësuar për “ndërhyrjen e botës serbe” në RMV

Aleanca për Shqiptarët, krahu i Arben Taravarit, ka shprehur shqetësim të thellë për ndërhyrjet e vazhdueshme të të ashtuquajturës “Bota Serbe” në Maqedoninë e Veriut. Ky koncept politik, që sipas ASH-së, i ndërtuar mbi modelin e “Botës Ruse”, nuk është vetëm një lojë simbolike, por një projekt i mirëfilltë që synon të minojë kufijtë ekzistues, të dobësojë shtetësinë dhe të pengojë të ardhmen europiane të vendit dhe të gjithë rajonit.
Sipas ASH-së, nënshkrimi i memorandumit ndërmjet Fondit Pensional të Maqedonisë së Veriut dhe atij të Republikës Srpska, i cili përfaqëson një entitet që sfidon hapur sovranitetin e Bosnjës e Hercegovinës, është një shembull i qartë se si institucionet tona po futen në rrjete që rrezikojnë stabilitetin rajonal.
Aleanca për Shqiptarët
“Kjo strategji shtrihet edhe më tej: përmes rrjetit hotelier, sistemit bankar, telekomunikimeve dhe televizioneve serbe, ndërhyrja bëhet e gjithanshme dhe e qëndrueshme, duke krijuar varësi strukturore që shkojnë përtej marrëdhënieve normale ekonomike. Ndërkohë, përfshirja e zyrtarëve serbë në aktivitete politike dhe kulturore në vend, si rasti i fundit me pjesëmarrjen e Millorad Dodikut në Shkup me ftesë të zëvendëskryeministrit Ivan Stoilkoviq, tregon qartë se ky projekt nuk është më i fshehur: është i hapur, i drejtpërdrejtë dhe antievropian”.
E, për më tepër që e gjithë kjo ndodh nën një qeveri që jo vetëm nuk e mbron vendin nga ky ndikim, por shpeshherë e legjitimon dhe e përforcon atë, pasi që VMRO-DPMNE, me partnerët e saj të koalicionit VLEN dhe ZNAM, në vend që të mbrojnë interesin kombëtar, ASH vlerëson se ata po paraqiten si protagonistë të këtyre zhvillimeve, duke i hapur derën një agjende të rrezikshme për stabilitetin dhe perspektivën euroatlantike të Maqedonisë së Veriut.
Anida Murati /SHENJA/