(VIDEO) Arsovska e fali sulmuesin e dytë
 
						Gjykata e ka dënuar me 2 vjet burg me kusht, Rexhep Nuredinin, njërin nga dy sulmuesit e Kryetares së Qytetit të Shkupit Danella Arsovska, për incidentin që ndodhi në korrik të këtij viti kur ajo u sulmua fizikisht dhe verbalisht gjatë një vizite në ndërtesat pa leje në Çair. Nuredini nuk do ta kryejë dënimin në rast se nuk kryen ndonjë krim tjetër në 5 vitet e ardhëshme, bazuar në pranimin e veprës për sulmin ndaj Arsovskës. Avokati mbrojtës i Nuredinit, Naser Raufi në një deklaratë për media pas seancës së sotme tha se i pandehuri duke pranuar fajësinë kontriboi në efikasitetin e procedurës dhe se në këtë rast u urdhërua edhe mbikëqyrja mbrojtëse, së bashku me masat e lirimit me kusht.
NASER RAUFI AVOKAT
“I akuzuari Rexhep Nuredini sot në seancën kryesore tregoi pendim të sinqertë për atë që kishte bërë, për sjelljen e tij të vrazhdë ndaj palës së dëmtuar. Megjithatë, vetë kryetarja e qytetit të Shkupit tregoi virtytin e faljes së të pandehurit për atë që kishte bërë, ajo as nuk u përfshi në ndjekjen penale, as nuk parashtroi kërkesë ligjore pasurore. Gjë që ndihmoi në shqiptimin e dënimit maksimal alternativ në këtë rast”.
Më 11 korrik të këtij viti, Arsovska, si Kryetare e Qytetit të Shkupit, u sulmua gjatë një inspektimi të ndërtimit të paligjshëm në Komunën e Çairit. Sipas aktakuzës, Rexhep Nuredini akuzohet për kryerjen e veprës penale të “dhunës”. Ndërkaq në fillim të shtatorit të këtij viti, Gjykata Penale e Shkupit dënoi të akuzuarin e parë në sulmin ndaj Arsovskës, Sulejman Lamallari, me dy vjet burg. Në seancat dëgjimore para vendimit, ai i mohoi me vendosmëri akuzat se e sulmoi Arsovskën dhe tha se nuk ishte ai sulmuesi në këtë rast, por viktima.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/


 
			 	 
			 	 
			 	 
			 	 
			 	