(VIDEO) Arrihet marrëveshje, do të ketë lehtësime për provimin e maturës
Unioni i nxënësve të shkollave të mesme dhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës, kanë arritur marrveshje për lehtësimin e provimit të maturës shtetërore. Nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, informuan se këtë vit do të ketë lehtësim shtesë për dhënien e provimit të maturës shtetërore në interes të të gjithë nxënësve të shkollave të mesme.
Unioni i nxënësve të shkollave të mesme, përmes një komunikate theksojnë se matura shtetërore do ti përshtatet gjendjes në arsim dhe do t’i lehtësohet kësaj gjenerate maturantësh, të cilët janë prekur më shumë nga ndërprerjet e procesit mësimor.
UNIONI I NXËNËSVE TË SHKOLLAVE TË MESME
“Tri nga katër kërkesat e Unionit të nxënësve të shkollave të mesme u pranuan. Për maturantët do të jetë më e lehtë të kalojnë maturën shtetërore sepse do të sigurohen bankat me pyetje për provimet e brendshme dhe këto provime do të kenë më shumë pikë për pranimin në fakultet”.
Siç njoftojnë nga Unioni, do të ulët edhe numri i pyetjeve dhe i pikëve të provimit të parë ekstern, ndërsa ai do të konsiderohet i përshtatshëm për të gjitha programet e studimit, që do të thotë 2 pikë shtesë gjatë regjistrimit.
UNIONI I NXËNËSVE TË SHKOLLAVE TË MESME
“Provimi i parë ekstern do të jetë i përshtatshëm për të gjitha programet e studimit, që do të thotë se nota nga ky provim do të shumëzohet me një koeficient më të lartë. Konkretisht, maturantët do të marrin 2 pikë shtesë gjatë regjistrimit për shkak të këtij ndryshimi dhe shteti do të tregojë kujdes për rëndësinë e gjuhës amtare dhe letërsisë”.
Nga Unioni më tej premtojnë se do të vazhdojnë të përfaqësojë nxënësit e shkollave të mesme me motivim edhe më të madh duke propozuar politika cilësore të bazuara në fakte, të cilat miratohen në mënyrë legjitime dhe demokratike përmes dialogut të hapur në interes të të gjithë gjimnazistëve. Samir Mustafa /SHENJA/