(VIDEO) Arrestohet kryebashkiaku Erion Veliaj dhe një zyrtar tjetër

Një zhvillim i papritur nga Bashkia e Tiranës, ku mësohet se kryetari Erion Veliaj është shoqëruar nga agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Pas një periudhe hetimi mbi katër vepra penale, forcat e BKH-së kanë ndërhyrë mesditën e sotme në ambientet e bashkisë, duke ekzekutuar urdhrin e arrestit ndaj tij. Burime pranë SPAK konfirmojnë se prokurorët e posaçëm kanë kërkuar nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) masën e sigurisë “arrest me burg” jo vetëm për Veliajn, por edhe për një tjetër zyrtar të lartë. Ndërkohë, pritet një njoftim zyrtar nga SPAK mbi akuzat dhe hapat e mëtejshëm të hetimit. Mësohet jo zyrtarisht se ndaj bashkëshortes së tij, Ajola Xoxa, është caktuar masa e sigurisë “arrest në shtëpi”.
Nisur nga zhvillimet e fundit kryeministri Edi Rama ka anulluar të gjitha takimet që kishte gjatë ditës në Shkodër. Kreu i qeverisë është nisur urgjent drejt Tiranës pas arrestimit të kryetarit të Bashkisë Tiranë Erjon Veliaj.
Kryebashkiaku Veliaj akuzohet për katër vepra penale: -Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose i të zgjedhurve vendorë; – Korrupsion aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë; -Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale; fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive. /SHENJA/