(VIDEO) Arrest shtëpiak për ish ministrat Bekim Neziri dhe Valon Saraçini

(VIDEO) Arrest shtëpiak për ish ministrat Bekim Neziri dhe Valon Saraçini

Gjykata e Koçanit e ka pranuar kërkesën e Prokurorisë dhe vendosi masën arrest shtëpiak për ish-ministrat e ekonomisë nga rradhët e BDI-së, Bekim Neziri dhe Valon Saraçini të cilët u ndaluan disa ditë më parë nga policia, ndërsa për ish-drejtorin e Agjencisë për Mbrojtje dhe Shpëtim dhe ministri aktual pa resor, Shaban Saliu, masë paraburgimi efektiv prej 30 ditësh. Këto janë pjesë e masave për 19 personat e rinj të përfshirë në hetimin për zjarrin në diskotekën Puls në Koçan.

Përveç Saliut, paraburgim efektiv kanë marrë edhe tre persona të tjerë, por Prokuroria nuk bën të ditur emrat e tyre dhe as funksionet që kanë kryer. Përveç Saraçinit dhe Nezirit, në arrest shtëpiak janë edhe katër persona të tjerë, ndërsa tetë të tjerëve u është caktuar masa e kujdesit.

Ndërkaq, nga Prokuroria njoftojnë se sot është shqiptuar masa e kujdesit ndaj të dyshuarit të 19-të për ngjarjen në Koçan, që me shumë gjasa është ambasadori i Maqedonisë së Veriut në Norvegji dhe Islandë, Driton Kuqi, që njëherë është edhe ish-ministër i Ekonomisë.

PROKURORIA PUBLIKE KOÇAN

Prokuroria Themelore Publike e Koçanit sot ka dorëzuar në Gjykatën Themelore në Koçan propozim për caktimin e masës së kujdesit për të dyshuarin e fundit, të 19-të, pas zgjerimit të hetimit për zjarrin në diskotekën ‘Puls’ në Koçan”.

Ndryshe, ministri i Punëve të Brendshme i Maqedonisë së Veriut, Pançe Toshkovski, gjatë ditës së djeshme bëri të ditur se hetimi për zjarrin në Koçan, ku humbën jetën 61 persona dhe u lënduan rreth 200 persona, është zgjeruar më tej, duke i përfshirë në hetim edhe 19 persona të tjerë, ndër të cilët ish-ministra dhe zyrtarë të tjerë. Në një konferencë për media së bashku me prokurоrin publik, Ljupço Kocevski, ministri Toshkovski njoftoi se në lidhje me zjarrin hetimi po kryhet ndaj gjithsej 45 personave fizikë dhe tre personave juridik. Toshkovski tha se të gjithë personat nën hetim dyshohen për “krime të rënda kundër sigurisë së përgjithshme” .

Samir Mustafa /SHENJA/

MARKETING