(VIDEO) Armata angazhon forca shtesë për shuarjen e zjarreve

(VIDEO) Armata angazhon forca shtesë për shuarjen e zjarreve

 

Temperaturat e larta të këtyre ditëve po e bëjnë edhe më të ashpërt luftën ndaj zjarreve që kanë kapluar vendin. Mëngjesin e sotëm nga qendra për menaxhim me kriza kanë njoftuar se kemi 13 zjarre aktive në vend. Nga atje thonë se kanë vepruar që nga orët e mëngjesit nga toka dhe nga ajri me të gjithë avionët vendas dhe ata të dërguar nga vendet e huaja për të ndihmuar.

QENDRA PëR MENAXHIM ME KRIZA

Vazhdon të jetë aktiv zjarri në afërsi të fshatit Kalanjevë të Negotinës, ku digjen pyje me kërcell të ulët dhe shkurre. Pylli me kërcell të ulët po digjet edhe në afërsi të fshatit Shturovë të Komunës së Radovishit, si dhe në afërsi të fshatrave Sirkovë dhe Podlest të Rosomanit. Në fshatrat Lipovik të Poshtëm dhe të Epërm të Komunës Konçe është djegur edhe një pyll me kërcell të ulët”.

Si rezultat i përhapjes masive të zjarreve edhe 200 ushtarë janë angazhuar për të ndihmuar rreth shuarjes së zjarreve, njoftuan nga ministria e mbrojtjes.

MINISTRIA E MBROJTJES

Shtabi i përgjithshëm ka dhënë urdhër për gatishmërinë dhe angazhimin e 200 ushtarakëve shtesë nga komanda operacionale dhe komanda e stërvitjes dhe doktrinës, duke e çuar në 300 numrin total të personelit të angazhuar të ushtrisë”.

Prej mëngjesit të sotëm është aktiv zjarri në Gjevgjeli, mes fshatit Negorc dhe Kovanec. Një pyll i përzier dhe bimësi e ulët është përfshirë edhe në zjarrin në afërsi të fshatit Gabrovnik, i marrë nga zjarri nga fshati Slepçe i Komunës së Çashkës. Në kuadër të Komunës së Çashkës, që nga mëngjesi i sotëm është aktiv edhe një zjarr tjetër në afërsi të fshatrave Jabollçishtë dhe Drenovë . Një zjarr ka edhe në mes të fshatrave të Shtipit Dragoevë dhe Sellcë në afërsi të vendit të quajtur Haxhi Rexhepi ku digjet bimësi e ulët dhe shkurre. Zjarre aktive sot në mëngjes ka edhe në komunën Studeniçan dhe në fshatin Vrazale. Është prekur bimësia e ulët dhe pyjet. Gjithashtu është formuar edhe shtabi rajonal i krizës për zjarret në vend me seli në Kavadar.  Të mërkurën kryetari i QMK-së në intervistën për TV SHENJA deklaroi se si rezultat i tepmeraturave shumë të larta, asgjë nuk është efikase në shuarjen e zjarrit dhe si alternativë që do ta mundësonte atë është shiu I cili pritet gjatë kësaj fundjave.

Medina Ajeti Ali /SHENJA/

MARKETING