(VIDEO) Anulohet seanca për shkarkimin e kryeprokurorit

Seanca e Këshillit të Prokurorëve Publik në të cilën duhej të shqyrtohej propozimi për shkarkimin e kryeprokurorit e dorëzuar nga qeveria është anuluar sot. Kryetarja e Këshillit të Prokurorëve Publik Dushica Dimitrievska, njoftoi se, seanca është anuluar për shkak se nuk ka pasur koorum.
Propozimi për shkarkimin e kryeprokurorit Lupço Kocevski është pika e dytë e rendit të ditës së seancës së 22-të, e cila fillimisht ishte caktuar për më 18 mars, por këshilli e prolongou për shkak të zisë shtatëditore të shpallur pas tragjedisë që ndodhi në Koçan.
Afatet për shqyrtimin e propozimit për shkarkimin e Kocevski ende vijojn dhe Këshilli do të duhet të shqyrtojë propozimin më së voni javën e ardhshme.
Kryeprokurorit shtetëror, Lupço Kocevski do t’i jepet edhe një shansë dhe nuk do të shkarkohet nga detyra, të paktën jo tani për tani.
Kujtojmë se, kryeministri Hristijan Mickoski dje paralajmëroi se, procedura për shkarkimin e Kocevskit, e cila në shkurt të këtij viti u inicua nga Qeveria, do të mbetet në fazën në të cilën gjendet momentalisht, për shkak të tragjedisë në Koçan, e cila po hetohet nga 11 prokurorë. Mickoski tha se, prokurorëve që punojnë në këtë rast, duhet t’u jepet shansë të bëjnë punën e tyre.
Qeveria në mbledhjen e 25 shkurtit e miratoi propozimin për shkarkimin e prokurorit publik Lupço Kocevski dhe pas përfundimit të procedurave qeveritare, ai iu dërgua Këshillit të Prokurorëve Publikë në fillim të muajit mars.
Propozimin për shkarkimin e tij Kocevski e ka marrë më 6 mars, dhjetë ditë para se të ndodhte tragjedia në Koçan. Në ndërkohë ai është dashur të japë mendimin e tij për propozimin për shkarkim, ndërsa Këshilli i Prokurorëve Publikë është dashur të japë mendim brenda 15 ditëve.
Deri tani Qeveria nuk e ka publikuar përmbajtjen e propozimit për shkarkimin e Kocevskit. Por nga ajo që është e njohur deri tani, në propozimin që e përgatiti Ministria e Drejtësisë thuhet se prokurori publik republikan ka vepruar në disa lëndë, në të cilat, sipas dispozitave ligjore, ka pasur rrethana që kanë ngritur dyshime për paanshmërinë e tij, si dhe ka pasur konflikt interesi.
Teuta Buçi /SHENJA/