(VIDEO) Anketë e IRI-it: Ali Ahmeti lideri më i preferuar, e kalon Gruevskin

(VIDEO) Anketë e IRI-it: Ali Ahmeti lideri më i preferuar, e kalon Gruevskin

Anketa më e re e zhvilluar nga Qendra për Hulumtime Anketuese e Institutit Republikan Ndërkombëtar (IRI) në Maqedoninë e Veriut tregon se VMRO DPMNE ka mbështetjen më të madhe te qytetarët, ndërsa Ali Ahmeti është lideri më i besueshëm. Të pyetur nëse këtë të diel do të mbaheshin zgjedhjet, përgjigjja e të anketuarve është si më poshtë:

VMRO-DPMNE: 19%

LSDM: 11%

BDI: 8%

ASH: 5%

Besa: 4%

E Majta: 4%

PDT: 1%

Alternativa: 1%

Asnjërën: 15%.

Ndërsa te politikanët, besim më të madh gëzon kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti me 6 për qind, para Nikolla Gruevskit dhe Hristijan Mickovskit me 5 për qind dhe Dimitar Kovaçevskit me 4 për qind.

Anketa tregon mbështetje në rritje për anëtarësim në BE, nivel të ulët të besimit në sundimin e së drejtës dhe dallim në drejtimin e lëvizjes në nivel lokal dhe kombëtar.

Të pyetur nëse e mbështesin integrimin e vendit në Bashkimin Evropian, 79% e të anketuarve të rritur janë përgjigjur me “po”. Kjo paraqet rritje prej gjashtë pikë përqindjeje krahasuar me anketën  e kryer tetorin e kaluar.

“Rritja e mbështetjes për integrimin në BE është shenjë se institucionet perëndimore ofrojnë shpresë për një të ardhme të suksesshme,” tha Pol Mekarti, drejtori i IRI-it për Evropën. “Qytetarët e Maqedonisë së Veriut e konsiderojnë integrimin me një bllok demokratik siç është BE-ja si çelës për paqen dhe përparimin”.

Anketa gjithashtu tregoi se shumica e qytetarëve nuk i besojnë sundimit të ligjit. Vetëm 31% e të anketuarve janë pajtuar se ligji zbatohet në mënyrë të barabartë për të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut, niveli më i ulët deri më tani. Gjashtëdhjetë e pesë për qind nuk u pajtuan me këtë deklaratë. “Sondazhi ynë tregon se më pak qytetarë besojnë në zbatimin e barabartë të ligjit,” tha Mekarti. “Udhëheqësit në Shkup duhet ta trajtojnë këtë çështje nëse duan të rrënjosin besimin në Qeveri dhe në institucionet politike të vendit.”

Përveç kësaj, qytetarët e Maqedonisë së Veriut janë të ndarë sa i përket drejtimit në të cilin lëviz vetëqeverisja e tyre lokale në krahasim me drejtimin në të cilin lëviz shteti. Njëzet e tetë për qind e të anketuarve besojnë se komuna e tyre lëviz në drejtimin e duhur, ndërsa vetëm 14% mendojnë të njëjtën gjë për vendin në tërësi.

Të dhënat u mblodhën nga 8 prilli deri më 4 maj 2023, duke përdorur metodë kampionimi të shtresuar me shumë faza përmes intervistave ballë për ballë në shtëpitë e të anketuarve. U anketua mostër përfaqësuese kombëtare prej 1 204 të anketuarve, të moshës 18 vjeç e lart. /SHENJA/

 

MARKETING