(VIDEO) Ankesa të shumta për diskriminim në baza politike dhe etnike

(VIDEO) Ankesa të shumta për diskriminim në baza politike dhe etnike

Diskriminimet më të shpeshta që ndodhin në vendin tonë, janë ato në baza etnike dhe politike. Anëtarja për Komisionit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi, Vesna Bendevska, tha se sipas anketave të Qendrës për Menaxhimin e Ndryshimeve, qytetarët janë të bindur se forma më e zakonshme e diskriminimit bazohet në bindjet politike, statusin social  dhe përkatësinë kombëtare apo etnike. Ajo tha se vetëm në 20 muajt e fundit komisioni ka përgatitur gjithsej 470 lëndë për diskriminimin.

Vesna Bendevska, anëtare e Komisionit për Parandalim dhe Mbrojten nga Diskriminimi

“Fushat në të cilat më së shumti ndodhin diskriminimet janë puna dhe marrëdhëniet e punës, dhe besoj se disa hulumtime më të thella do të tregojnë se –po, bindjet politike ndikojnë në qasjen e pabarabartë në punësim, dhe ndikon në ndërtimin e karrierës në shoqërinë tonë“

Ajo më tej tha se sivjet kanë pasur një numër të madh të peticioneve që kanë të bëjnë me gjuhën e urrejtjes në bazë të përkatësisë kombëtare dhe etnike, më së shpeshti të promovuar në rrjetet sociale.

Ndërkaq, Avokati i Popullit, Naser Ziberi tha se numri i ankesave  për diskriminim sa vjen dhe rritet, në zyrën e tij në vitin 2022 janë paraqitur 76 ankesa, respektivisht 30 më shumë se viti paraprak. Ziberi, gjithashtu tha se Qeveria dhe Parlamenti, duke shkurtuar vazhdimisht buxhetin e organeve që mbrojnë të drejtat e njeriut, dhe duke mos krijuar kushte adekuate për funksionim, kanë kontribuuar në rezultate negative.

Naser Ziberi, Avokat i Popullit

“Më shqetëson përqindja e lartë e mosbesimit të qytetarëve në institucionet e mbrojtjes nga diskriminimi, një përqindje shumë e lartë e qytetarëve nuk guxojnë të iniciojnë instrumente mbrojtëse, sepse paraprakisht janë të dëshpëruar dhe nuk kanë besim në institucione. Kjo duhet ta shqetësojë Qeverinë dhe Kuvendin, pasi që ata janë faktorët që krijojnë politika”

Ministrja e Punës dhe Politikës Socilae, Jovanka Trençevska, theksoi se mungesa e informimit dhe mospranimi i diversitetit është një nga arsyet kryesore për ekzistimin e diskriminimit. Sipas saj kjo është një çështje që duhet të fokusohen bashkërisht në të ardhmen dhe të krijojnë masa për të siguruar trajtim të barabartë për të gjithë qytetarët.

Jovanka Trençevska, ministre e Punës dhe Politikës Sociale

“Diskriminimi, trajtimi i pabarabartë dhe mosrespektimi i njerëzve është sheklje e të drejtave të njeriut dhe sulm ndaj shoqërisë në tërësi. Pikërisht për këtë arsye lufta kundër diskriminimit është obligim dhe prioritet i Qeverisë, Ministrisë së Arsimit dhe Kulturës dhe të gjitha institucioneve. Është përgjegjësi e jonë e përbashkët që të krijojmë kushte për jetë cilësore dhe realizmin e të drjetave të çdo qytetar”

Këto komente u bënë gjatë konferencës të organizuar nga Komisioni për Parandalim dhe Mbrojte nga Diskriminimi, me temë “ A është Republika e Maqedonisë së Veriut vend i drejtë?, Si mund të avancojnë institucionet bashkërisht në luftën kundër diskriminimit?.

Linda Ebibi /SHENJA/

 

MARKETING