(VIDEO) Angellov: Tentime për riaktivizim të zjarrit në Bllacë

(VIDEO) Angellov: Tentime për riaktivizim të zjarrit në Bllacë

Zjarri që ka kapluar malet rreth magjistrales që çon drejt pikës kufitare Bllacë-Hani Elezit është nën kontrollë, thotë Drejtori i Drejtorisë për Menaxhim me Kriza, Stojançe Angellov. Në një prononcim, Angellov thotë se dikush ka tentuar ta riaktivizojë zjarrin, duke ndezur paleta druri të cilët sipas Angellovit kanë qenë të lyera paraprakisht me benzin. Ai u ka bërë apel qytetarëve që të denoncojnë te organet e rendit nëse vërejnë se dikush u afrohet maleve me materiale që mund të shkaktojnë zjarre të mëdha.

Stojançe Angellov, Drejtor i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim

Dikush me qëllim ka tentuar ta riaktivizojë këtë zjarr të cilin vazhdojmë ta kemi nën kontrollë. Apeloj deri tek qytetarët që duke u paraqitur në numrin 112 të denoncojnë të gjithë njerëzit a që u afrohen maleve dhe pyeve me materiale druri që mund të shkaktojnë zjarr. Nuk është e vërtetë se manastiret janë të rrezikuara nga zjarri, siç nuk është i vërtetë lajmi se tre shtëpi janë djegur në Çuçer Sandevë”.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme thonë se qarkullimi drejt Kosovës është normalizuar. Thonë se për çdo moment të ri do të ketë njoftime në kohë.

Ministria e Punëve të Brendshme

Nga mëngjesi i sotëm qarkullimi në këtë aks rrugor po zhvillohet normalisht, pa ndalesa dhe kufizime. Gjithashtu edhe pikë kalimi Bllacë – Elez Han është i hapur për hyrje-dalje. Në rast se eventualisht përhapet zjarri përsëri në këtë drejtim dhe paraqitet nevoja për kufizime në qarkullim, MPB do të informojë me kohë”.

Ndërkaq, nga Qendra për Menaxhim me Kriza thonë se aktualisht në territor të vendit janë nëntë zjarre aktive, kurse një është lokalizuar.

Qendra për Menaxhim me Kriza

Çuçer Sandevë – ndërmjet fshatrave Bllacë dhe Çuçer (pyll i përzier dhe vegjetacion i ulët), Prilep – fsh. Beshishtë (zjarr në pyll të përzier), Makedonski Brod 1 – ndërmjet fsh. Creshnevë dhe fsh. Slatinë (pyll lisash i degraduar dhe shkurre), Makedonski Brod 2 – fsh. Samakovë (material lehtë i djegshëm), Veles – ish-fabrika Porecelanka (vegjetacion i ulët), Çashkë – nën majën Solunska Glava, mes burimeve të Babunës dhe vendit të quajtur Babina Dupka (vetëm tym në terren shkëmbor, pa flakë aktive), Probishtip – fsh. Petrshino (vegjetacion i ulët dhe kashtë e djegur), Shuto Orizare – afër hoteli “Neë Star” (deponi), Dojran – fsh. Nikolliq (pyll i ulët).

Sa i përket zjarrit që shpërtheu ditë më pare në lagjen Gjorçe Petrov, MPB shtoi se, gjatë mbrëmjes është arrestuar 57 vjeçari me iniciale D.N i cili dyshohet se ka shkaktuar zjarr duke ndezur barë të thatë në rrugën “Stevo Crvenkovski” në këtë lagje.

Mevludin Imeri /SHENJA/

MARKETING