(VIDEO) Analistët: Partitë nuk e kanë fokusin te pushteti lokal

“Në këto zgjedhje AKI-ja garon me VLENIN, ndërkaq Mickoski garon me Ali Ahmetin, sa i përket LSDM-së, ajo me vetë dëshirë është tërhequr nga ky kostelacion”, kështu është shprehur analisti politik Sefer Tahiri në emisionin “Debat në Shenja”, në TV SHENJA. Ai tha se para nesh shtrohet çështja se këto a janë zgjedhje lokale apo parlamentare dhe se a kemi zgjedhje për kryetarë të komunave apo për deputetë dhe për përfaqësues qeveritar.
SEFER TAHIRI, ANALIST POLITIK
“Unë mendoj se kjo ndodhë për arsyen e thjeshtë se fokusi i partive politike në këto zgjedhje nuk është apriori, nuk është drejtpërdrejtë tek komunat, pra tek projektet lokale, tek atë që e pret qytetari, pra në kuptim të realizimit të projekteve jetike konkrete që kanë të bëjnë me ujësjellësin, kanalizimin, me mbledhjen e mbeturinave, çështjet e ndriçimit publik, açështjet e ujit të pijshëm, por më tepër mendoj që debati është ngritur në një nivel më të lartë politik”.
Analisti politik Xhelal Neziri tha se çështja kombëtare duhet të trajtohet në zgjedhje parlamentare dhe jo në ato lokale, ngase siç thotë ai, edhe nëse i fiton të gjitha komunat nuk mund as të parandalosh një ligj diskriminues e as ta avancosh një të drejtë tjetër, për shkak se nuk është pushteti lokal për ato çështje. Ai tha se nuk është i mendimit se këto zgjedhje lokale do të jenë përcaktues për fatin e qeverisë aktuale.
XHELAL NEZIRI, ANALIST POLITIK
“Nuk mund të votojmë për këshilltarë dhe kryetar komunash dhe të pretendojmë se me atë do të ndryshojmë diçka në nivel nacional. Nuk mund të përmirësohet gjuha shqipe duke e fituar një komunë. Nuk mund të ndalohet ngushtimi i përdorimit të gjuhës shqipe apo të drejtave tjera me që pretendon opozita me votime në zgjedhjet lokale”.
Neziri tha se zgjedhjet lokale kanë të bëjnë me probleme shumë konkrete të qytetarëve siç janë: ujësjellësi, kanalizimi, parkingjet, sheshet, trotuaret etj.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/