(VIDEO) Ambasadorët njëri pas tjetrit në konsultime te ministri Mucunski

(VIDEO) Ambasadorët njëri pas tjetrit në konsultime te ministri Mucunski

Ambasadori i Maqedonisë së Veriut në Organizatën e Kombeve të Bashkuara në Nju-Jork, Lubomir Fërçkoski, është thirrur në konsultime në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, shkruan MIA.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme informoi shkurt se  në pajtueshmëri me Ligjin për punë të jashtme, ambasadori i Maqedonisë në OKB, Lubomir Fërçkoski, është thirrur në konsultime në ministri. Nga MPJ shtojnë se opinioni do të informohet në kohë për të gjithë hollësitë plotësuese.

Ndërkaq burime të MPJ-së bëjnë me dije se Fërçkoski nuk i ka respektuar as rekomandimet e shefit të mëparshëm të diplomacisë, Bujar Osmani. Në  Ministrinë e Punëve të Jashtme nuk ka evidencë për derdhjen e parave në llogarinë buxhetore nga shitja e pronës që i përkasin Maqedonisë pas ndarjes së pronave të Jugosllavisë në territorin e Shteteve të Bashkuara si dhe ka shpenzuar mjetet në kundërshtim me rregulloret e punës së misioneve diplomatike-konsullore.

Në mars të vitit 2022, Lubomir Fërçkoski shkoi si ambasador i vendit në OKB pasi presidenti i atëhershëm Stevo Pendarovski e nënshkroi dekretin për shkuarjen e tij në mision. Fërçkoski, megjithatë, nuk arriti ta prezantojë platformën e tij para Komisionit kuvendor për punë të jashtme për shkak se kryetari i atëhershëm i komisionit Antonio Milloshoski nga VMRO-DPMNE-ja, më së paku dy herë nuk caktoi seancë të Komisionit.

Para disa ditëve ministri i jashtëm e thirri në konsultime ambasadorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në Romë, Vesel Memedin.

Memedi në shkurt të këtij viti u dërgoi letër autoriteteve italiane, me të cilën i informoi se dokumentet për udhëtim me emrin Republika e Maqedonisë nga data 12.02.2024 janë të pavlefshme. VMRO-DPMNE atëherë doli me reagim se Memedi “vetë ka marrë hapa me të cilët i ka dëmtuar qytetarët e Maqedonisë së Veriut në Itali”.

Disa ditë pas letrës së Memedit, MPJ, e kryesuar nga ministri i atëhershëm i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani u dërgoi notë të re autoriteteve italiane, duke i informuar se ambasadori Memedi nuk ka marrë kurrfarë instruksioni që të dorëzojë nota për temën e kësaj lënde.  /SHENJA/

 

MARKETING