(VIDEO) Alarmante: Numri i fëmijëve të prekur nga droga në rritje

(VIDEO) Alarmante: Numri i fëmijëve të prekur nga droga në rritje

Numri i fëmijëve që përdorin drogë në RMV është alarmant dhe vazhdimisht në rritje tregojnë të dhënat e hulumtimit të Avokatit të popullit lidhur me gjendjen dhe trajtimin e fëmijëve që përdorin drogë dhe substanca të tjera psikotrope në vend. Sipas këtyre të dhënave, shqetësues është fakti se ky problem i prek edhe moshat fëmijërore, ku mosha më e hershme e prekur nga droga është një fëmijë nën 6 vjeç, ndërkaq numri më i madh i fëmijëve që përdorin drogë është nga mosha 14-deri në 18 vjeç. Zëvëndësja e avokatit të popullit Vaska Bajramovska Mustafa tha se trajtimi i këtyre fëmijëve mbetet një sfidë serioze, meqenëse në institucionet shëndetësore nuk ka programe specifike të synuara për fëmijët.

VASKA BAJRAMOVSKA MUSTAFA, ZËVENDËSE E AVOKATIT TË POPULLIT

Sipas të dhënave të Sektorëve të Minstrisë për Punë të Brendshme, në vitin 2023 janë regjistruar gjithsej 85 fëmijë, përkatësisht 78 prej tyre meshkuj dhe 7 femra si përdorues të drogave, ndërsa në periudhën nga 01.01.2024 deri më 01.06.2024 janë regjistruar gjithsej 45 raste të reja, përkatësisht 41 meshkuj dhe 4 femra. Nga të dhënat e ISHP Klinika Universitare për Sëmundje të Fëmijëve, në vitin 2023 janë regjistruar 7 fëmijë, 3 djem dhe 4 vajza, prej të cilëve një fëmijë i moshës nën 6 vjet”.

Bajramovska tha se në vend mungojnë institucionet e specializuara, ekipet specifike dhe programet e veçanta të dedikuara për trajtimin e këtyre fëmijëve. Ajo theksoi se drogat më të përdorura nga të rinjët janë marihuana, anferamina, heroina etj.

VASKA BAJRAMOVSKA MUSTAFA, ZËVENDËSE E AVOKATIT TË POPULLIT

Nga 21 Qendrat Ndërkomunale për Punë Sociale që u përgjigjën se kanë ekipe ekspertësh për të punuar me fëmijët në rrezik, ku përfshihen edhe fëmijë përdorues droge, të gjitha deklaruan se ekipi nuk është i specializuar për fëmijë përdorues droge. Trajtimi i fëmijëve përdorues të drogës vazhdon të paraqesë një sfidë serioze, duke pasur parasysh se kemi rekomanduar programe specifike në institucionet shëndetësore që ende nuk janë zhvilluar “.

Nga zyra e Avokatit të popullit rekomandojnë zhvillimin e programeve të specializuara për trajtim, rehabilitim dhe risocializim, si dhe përmirësimin e koordinimit midis institucioneve për një qasje të integruar ndaj trajtimit. “Për përmirësimin e mbrojtjes, trajtimit dhe risocializimin e fëmijëve që përdorin droga dhe substanca psikotrope në Maqedoninë e Veriut, është e patjetërsueshme të zbatohen masa gjithëpërfshirëse që mbulojnë të gjitha aspektet përkatëse: parandalimin, ndërhyrjen e hershme, trajtimin, rehabilitimin dhe risocializimin” thonë ata.

Medina Ajeti Ali /SHENJA/

 

MARKETING