(VIDEO) Aktakuzë ndaj tre personave, vodhën kabllot elektrike

(VIDEO) Aktakuzë ndaj tre personave, vodhën kabllot elektrike

Prokuroria e Shkupit ka ngritur akuzë kundër tre personave për “vjedhje të rëndë nga objekte të instalimeve publike që janë me rëndësi të veçantë për sigurinë e njerëzve dhe të pasurisë”, për vjedhje të vazhdueshme të kabllove në vlerë prej 440 mijë eurosh, si dhe për shkaktim të një zjarri të rrezikshëm gjatë kryerjes së veprës. Prokuroria sqaroi se të akuzuarit, së bashku me persona të tjerë ende të paidentifikuar, gjatë periudhës nga marsi deri në fillim të majit të këtij viti, nga rrethi i fabrikës “Hekurana” në Shkup – konkretisht nga objekti i “Polukonti – IGM” dhe nga tunelet nëntokësore nëpër të cilat kalojnë kabllot e energjisë elektrike – kanë marrë disa kilometra kabëll të tensionit të lartë dhe të mesëm, pronë e kompanive A.D. ESM – Elektranat e RMV-së – Njësia Energjia Shkup dhe “Makstil” A.D. Shkup, me një dëm total prej rreth 440 mijë eurosh.

PROKURORIA

Në disa raste, përmes hapjeve me shkallë që çonin në tunelet nëntokësore, të akuzuarit hynin nga objekti i ‘Polukonti – IGM’, dhe pasi kontrollonin me pajisje që kabllot nuk ishin nën tension, i prisnin me sharrë elektrike dhe i grumbullonin pranë hyrjes së tuneleve”.

Për shkak të veprimeve të tyre, më 9 prill ndodhi një zjarr në një nënstacion, me ç’rast u shkaktua dëm shtesë në instalimet publike, për riparimin e të cilave u deshën mbi 100 mijë euro, si dhe u ndërpre prodhimi dhe shpërndarja e energjisë elektrike për konsumatorët, me humbje prej rreth 60 mijë eurosh.

PROKURORIA

Më 6 maj, të tre të akuzuarit shkuan përsëri në objekt me veturë për të përgatitur kabllot për transport. Por gjatë punës, njëri prej tyre u lëndua nga një kabëll, dhe të tre shkuan menjëherë në Qendrën Urgjente ‘Nënë Tereza’, ku atij iu dha ndihma mjekësore. Pas kësaj, ata u kthyen në objekt për të marrë mjetet që kishin lënë dhe tentuan të largoheshin, por u kapën dhe u arrestuan menjëherë pas daljes nga rrethi i fabrikës”.

Prokurori publik i ka dorëzuar Gjykatës kërkesë për vazhdimin e masës së paraburgimit për të tre të akuzuarit, pasi ende ekziston rreziku i arratisjes, mundësia e ndikimit mbi dëshmitarët dhe rreziku për përsëritje të veprës. /SHENJA/

MARKETING