(VIDEO) Aksidenti në qarkore, ngasësi nuk ishte nën ndikimin e alkoolit
Gjatë ditës së sotme Prokuroria Publike ka njoftuar se prokurori publik kujdestar nga Prokuroria Themelore Publike Shkup, së bashku me ekipet hetimore të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), mbrëmë kanë kontrolluar vendin e ngjarjes te qarkorja e Shkupit, nga ku humbi jetën një grua. Nga Prokuroria thonë se po përcaktohen shkaqet dhe rrethanat e sakta në të cilat ka ndodhur ngjarja, por deri më tani është konstatuar se shoferi i veturës nuk ka qenë nën ndikim të alkoolit, ndërsa dyshohet se tashmë e ndjera ka qenë duke ecur në këmbë në autostradë, ose siç supozohet ka rënë nga mbikalimi.
Prokuroria Publike
“Sipas informacioneve fillestare, e ndjera është një femër, e cila ose ka qenë duke ecur në autostradë ose ka rënë nga mbikalimi në rrugë. Në atë moment, në kushtet e natës me dukshmëri të zvogëluar në rrugë, një makinë që lëvizte përgjatë unazës është përplasur me të. Drejtuesi i veturës menjëherë pas aksidentit i është bërë alkomatografia dhe nuk është konstatuar se ai e drejtonte mjetin nën ndikimin e alkoolit”.
Tutje nga prokuroria theksuan se është dhënë urdhër për obduksion të trupit të së ndjerës, si dhe janë mbledhur gjurmë dhe prova materiale të cilat do t’i nënshtrohen ekspertizës. Gjithashtu, bënë të ditur se po intervistohen edhe dëshmitarët okularë të ngjarjes, për të zbardhur të gjitha rrethanat.
Kujtojmë se ngjarja ndodhi mbrëmë në unazën e Shkupit, afër fshatit Stajkovcë. Anë atë pjesë trafiku është zhvilluar me vështirësi për shkak të aktiviteteve të organeve kompetente.
Anida Murati /SHENJA/