(VIDEO) Akreditohet për mjekësi universiteti i Merkos në Strugë, reagon VLEN

(VIDEO) Akreditohet për mjekësi universiteti i Merkos në Strugë, reagon VLEN

Universiteti Ndërkombëtar në Strugë, që lidhet me Ramiz Merkon ka marrë akreditim edhe për Fakultetin e Shkencave Shëndetësore. Vendimin e ka nënshkruar ministri në largim i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri. Studentët e ardhshëm do të mund të studiojnë shkencat mjekësore në këtë institucion privat të arsimit të lartë. Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka konstatuar se janë plotësuar kushtet për fillimin e punës në Fakultetin e Shkencave Shëndetësore në Universitetin Ndërkombëtar në Strugë. Agjencia për Cilësinë e Arsimit të Lartë dhe Bordi i Akreditimit dhanë mendim pozitiv.

Për koalicioni VLEN, ky vendim është skandal. Ata thonë se universiteti i Ramiz Merkos, i cili është në Listën e Zezë amerikane, fitoi edhe një bakshish nga ministri po ashtu i Ramizit, Jeton Shaqiri, Akreditim për Fakultet të Mjekësisë!

VLEN

Ky universitet i njohur si ‘Universiteti i Merkos’, i cili udhëhiqet nga Armend Kadriovski, është me famë për ‘prodhimin’ e diplomave urgjente, si universitet ku ndër vite, brenda natës, kanë diplomuar më shumë se gjysma e funksionarëve të BDI-së, si dhe shumë familjarë të funksionarëve të cilët është dashur të futen në punësime të ndryshme. Kjo është BDI, këto janë funksionarët e Listës së zezë të SHBA-së, krimi tek të cilët nuk ka kufi”.

VLEN kërkon që Ministri Jeton Shaqiri të japë llogari para opinionit për këtë veprim dhe të tregojë të gjitha arsyet pse e ka akredituar Universitetin e Merkos me Fakultetin e Mjekësisë, të dëshmojë nëse ky Universitet ka kabinete adekuate për tu studiuar lëndët e mjekësisë, por edhe kuadrin e nevojshëm akademik.

Në Maqedoninë e Veriut ekzistojnë disa fakultete të mjekësisë, duke përfshirë Fakultetin e Mjekësisë në Shkup, Shtip dhe Tetovë. Vitin e kaluar, Institucioni Privat i Arsimit të Lartë International University “Vision” në Gostivar mori leje për themelimin e Fakultetit të Shkencave Shëndetësore.

Më 20 qershor të vitit të kaluar, Departamenti i Shtetit e shpalli non grata kryetarin e Strugës Ramiz Merkon. /SHENJA/

 

 

MARKETING