(VIDEO) Ahmeti: Prekja e gjuhës shqipe vë në pikëpyetje zgjedhjet e ardhshme

Nga koalicioni VLEN kanë reaguar lidhur me deklaratën e djeshme të liderit të BDI-së Ali Ahmetit. Ata vlerësojnë se Ahmeti nga Likova e ka pranuar se përgatit bojkot të zgjedhjeve. “Pasi panë se shqiptarët nuk po bien më pre e gënjeshtrave dhe lajmeve të rreme, pasi u zbuluan me aferat korrupte dhe listat e zeza, BDI po luan kartën e fundit, ata nuk kanë më fuqi të manipulojnë njerëzit me përrallën e sajuar të “deshqiptarizimit” dhe tani janë gati të kryejnë tradhtinë tjetër politike ndaj popullit të vetë, të bojkotojnë zgjedhjet dhe të përpiqen të provokojnë tensione në ditën e votimit” thuhet në komunikatën e VLENIT.
VLEN
“BDI e di se ka vetëm një mënyrë për të mos regjistruar edhe një humbje në bilancin e saj: KRIZA POLITIKE. Pikerisht për këtë arsye tash e një kohë ata po investojnë në perceptimin e rremë se shqiptarët nuk janë të përfaqësuar siç duhet, sepse BDI nuk është në Qeveri. Por tani gjithçka është e qartë dhe nuk ka dilema. Ali Ahmeti dje nga Likova vetë e konfirmoi: BDI po përgatit bojkotin e zgjedhjeve lokale”.
Kreu i BDI-së Ali Ahmeti ditën e djeshme nga Likova tha se ligji për gjuhën shqipe është i panegociushëm dhe I rëndësishëm për çdo shqiptar, dhe nuk duhet të preket. Cënimi i shqipes, sipas Ahmetit, vë në pikëpyetje edhe mbajtjen e zgjedhjeve lokale në vjeshtë të këtij viti.
“Në qoftë se preket ligji i gjuhës, nuk ka zgjedhje lokale dhe nuk mundet të vendosen kuti për të mbajtur zgjedhje lokale, nëse preket ligji I gjuhës, dhe ligji I gjuhës nuk është I BDI-së, ligji I gjuhës është edhe I atyre që do lindin deri sa të lindë dielli. Prandaj duhet ti dalë cdo shqiptarë zot ligjit të gjuhës dhe as mos ta politizojnë dhe as mos ta problematizojnë.”
Ahmeti tha se është i gatshëm të ulet të bisedojë por jo të bëj pazare me çështjen shqiptare.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/