(VIDEO) Aggeler paralajmëron: “Ka edhe shumë kandidatë për në listën e zezë”
Ambasadorja amerikane Angella Ageler, përsërit edhe një herë se në Maqedoni ka epidemi korrupsioni. E ftuar në emisionin “Stadium” në Kanalin 77 ajo u shpreh se qëllimi nuk është që SHBA të ketë listë të zezë, madje ajo thotë se më mirë të mos e ketë atë listë, pra të mos ketë krim dhe korrupsion, por aktualisht, potencon se ka ende shumë kandidatë për listën e zezë.
Ajo thotë se nuk e kanë rolin e institucioneve për përndjekje në vend, dhe se shpreson që do të ketë njerëz në organet e rendit dhe drejtësisë që do të punojnë në ato raste dhe të mbahet përgjegjësi për veprimet e tyre.
Angela Ageler, Ambasadore Amerikane
“Ne nuk kemi rolin e institucioneve për përndjekje në vend. Shpresojmë se do të ketë njerëz në organet e rendit dhe drejtësisë që do të punojnë në ato raste dhe do të mbajnë përgjegjësi të tillë për veprimet e tyre, për diçka që e kemi treguar me prova se ishin pjesë e krimit të organizuar, krimit financiar dhe korrupsionit”.
Ajo thekson se personi i fundit që është futur në listën e zezë në SHBA për shkak të pjesëmarrjes në korrupsion është ish-zëvendëskryeministri dhe biznesmeni Koço Angjushev, për të cilin u ngrit shumë pluhur. Angjushev përmes një komunikate me shkrim tha se nuk pajtohet me vendimin e Departamentit të Shtetit dhe se do t’i shfrytëzojë të gjitha mundësitë për ta dëshmuar atë. /SHENJA/