(VIDEO) Afera e re e përgjimeve, LSDM kërkon deklasifikim urgjent për rastin e Agjencisë

(VIDEO) Afera e re e përgjimeve, LSDM kërkon deklasifikim urgjent për rastin e Agjencisë

 

Çështja e dyshimeve për përgjime të kryeministrit Hristijan Mickoskit, gazetarëve dhe bizinismenëve edhe sot ka vazhduar me reagime dhe akuza në mes pushtetit dhe opozitës. Nga LSDM thonë se deklaratat e kryeministrit dhe drejtorit aktual të Agjencisë për Siguri Kombëtare Bojan Hristovskit janë kontradiktore. Zëdhënësja e LSDM-së Bogdanka Kuzeska tha se LSDM kërkon deklasifikimin e menjëhershëm të të gjithë dokumentacionit që lidhet me akuzat për përgjime të paligjshme.

BOGDANKA KUZESKA, ZËDHËNËSE E LSDM-SË

Mickoski thotë se dyshohet se është përgjuar, ndërsa drejtori i ASK-së e mohon dhe thotë diqka tjetër, se bëhet fjalë për mbledhjen e informacioneve rreth individëve të targetuar. Kush po gënjen këtu? Nëse ASK- ja nuk e sqaron rastin, do të bëhet e qartë se kjo është një tjetër përpjekje e dështuar për manipulim nga qeveria dhe keqpërdorim parazgjedhor. Ashtu si në rastet e destabilizimit të supozuar, përpjekjes për ryshfet nga kompanitë e huaja dhe një sërë historish të tjera të sajuara që përfunduan pa asnjë provë dhe pa një zgjidhje”.

Ndërkaq nga VMRO-DPMNE sot kanë deklaruar se LSDM ka përgjuar kryeministrin Hristijan Mickoskin, gazetarët dhe biznesmenët për të qëndruar në pushtet, duke i përdorur shërbimet për qëllime partiake. Deputeti i kësaj partie Brane Petrushevski tha se Mickoski, si kryetar i partisë më të madhe opozitare në atë kohë, u monitorua për pesë vite. Ai kërkoi nga prokuroria hetim gjithpërfshirës.

BRANE PETRUSHEVSKI, DEPUTET I VMRO-DPMNE-SË

Është tragjedi se si LSDM-ja I keqpërdori shërbimet, të cilat në vend që t’i shërbenin shtetit, sigurisë dhe inteligjencës së tij u përdorën për të mbajtur në pushtet Zaevin, Filipçen dhe klikën e ngushtë rreth tyre. Për të gjitha këto, ata u ndihmuan nga kryeprokurori aktual Kocevski, i cili ishte përgjegjës për monitorimin e lëshimit të masave të veçanta hetuese. Kocevski është hallka kryesore në zinxhirin e LSDM-së për monitorimin dhe përgjimin e Mickoskit, gazetarëve dhe biznesmenëve”.

Prokuroria Themelore Publike ditën e djeshme ka hapur lëndë për sa i përket rastit për dyshimet e ngritura nga drejtori aktual i ASK-së Bojan Hristovski dhe kryeministri Hristijan Mickoski për përgjime të paligjshme ndaj Mickoskit.

Medina Ajeti Ali /SHENJA/

 

MARKETING