(VIDEO) Afera e përgjimeve, LSDM: Mickoski frikësohet të hapet afera “Fushat e Dellçevës”

(VIDEO) Afera e përgjimeve, LSDM: Mickoski frikësohet të hapet afera “Fushat e Dellçevës”

LSDM sot ka pyetur kryeministrin Hristijan Mickoski se a është rasti “Fushat e Dellçevës” arsyeja se pse ai frikësohet të kërkojë deklasifikimin e dokumenteve, që do t’i vërtetonin pretendimet e tij dhe ato të drejtorit aktual të Agjencisë së Sigurisë Kombëtare Bojan Hristovski, se është monitoruar dhe përgjuar ndërsa ishte në opozitë. Zëdhënësja e kësaj partie Bogdanka Kuzeska tha se Mickoski frikësohet se deklasifikimi I këtyre dokumenteve do të konfirmojë indikacionet e një krimi prej një milion dollarësh në rastin “Fushat e Dellçevës”.

BOGDANKA KUZESKA, ZËDHËNËSE E LSDM-SË

“Pse pas pothuajse një jave të publikimit të akuzave për mbikëqyrjen e Hristijan Mickoskit, as drejtori i Agjencisë së Sigurisë Kombëtare, Bojan Hristovski dhe as kryeministri Hristijan Mickoski nuk e kanë nisur procedurën për deklasifikimin e dokumenteve që do të vërtetonin akuzat e qeverisë? Pse ai vetë nuk kërkoi deklasifikimin e dokumentacionit nga Agjencia e Sigurisë Kombëtare në të cilin pretendohet se është monitoruar? Nga çfarë ka frikë Hristijan Mickoski? Le t’i kujtojmë publikut se në rastin “Fushat e Dellçevës” ishin të përfshirë bashkëpunëtorët më të ngushtë të Mickoskit, përfshirë një anëtar të sigurimit të tij personal, si dhe drejtori i atëhershëm i Pallatit të Bardhë, pra selisë qendrore të VMRO-DPMNE-së”.

Deklaratës së Kuzeskës i janë përgjigjur menjëherë nga VMRO-ja në pushtet. Ata thonë se LSDM me anë të këtyre reagimeve dhe përpjekjeve për shfajësim po e dëshmon se përgjimet janë rast I vërtetë.

VMRO-DPMNE

Nëse ata po ndiqnin për shkak të “Fushave të Dellçevës” si e di LSDM këtë, apo tani po shpikin justifikime? Nëse po ndiqnin për shkak të këtij rasti dhe Mickoski nuk u arrestua për asnjë pjesë të asaj procedure, kjo do të thotë se pavarësisht faktit se ai po ndiqej, LSDM e dinte se ai nuk kishte të bënte fare me atë rast, por prapë e përdorën atë si justifikim për të ndjekur një rast të cilin vetë Prokuroria nën kontrollin e tyre, e tërhoqi për shkak të mungesës së provave”

Nga LSDM-ja vazhdojnë të kërkojnë deklasifikim e dokumenteve dhe thonë se refuzimi për deklasifikim, do të jetë provë se Mickoski nuk mund të dalë nga matrica kriminale , ndërkaq nga VMRO DPMNE i bënë thirje prokurorisë për zbardhje të rastit.

Medina Ajeti Ali /SHENJA/

 

MARKETING