(VIDEO) Afera e përgjimeve – LSDM kërkon deklasifikim, VMRO-ja thirrje prokurorisë

(VIDEO) Afera e përgjimeve – LSDM kërkon deklasifikim, VMRO-ja thirrje prokurorisë

Afera e përgjimeve të kryeministrit Hristijan Mickoskit vazhdon të shkaktojë sulme dhe akuza ndërmjet partive politike. Nga LSDM sot kanë reaguar për deklaratën e djeshme të Mickoskit, i cili tha se nuk është e rëndësishme se a do të deklasifikohen dokumentet por e rëndësishme është që këto keqpërdorime të parandalohen. Zëdhënësja e LSDM-së, Bogdanka Kuzeska tha se frika e Mickoskit nga publikimi i përmbajtjes së materialeve që supozohet të vërtetojnë ndjekjen e tij nga shërbimet është e qartë dhe se me deklaratën e djeshme konfirmoi se nuk ka ndërmend të deklasifikojë dokumente që do të vërtetonin pretendimet e tij se është ndjekur në mënyrë të paligjshme.

BOGDANKA KUZESKA, ZËDHËNËSE E LSDM-SË

Nëse LSDM-ja ka përgjuar siç pretendon qeveria, pse ka frikë t’i deklasifikojë dokumentet? Çfarë e frikëson kaq shumë Kryeministrin në ato dokumente? A përmbajnë këto dokumente dëshmi për bashkëpunimin e Mickoskit me shërbimet e huaja jo-miqësore? A punoi ai në dëm të interesave të shtetit për para të huaja? A pati komunikim me agjencitë ruse që financuan ekstremizmin dhe destabilizimin e shtetit? A përmbajnë dokumentet akuza për financim të paligjshëm të partisë VMRO-DPMNE në lidhje me rastin “Fushat e Dellçevës?”.

Reagim pati edhe nga VMRO DPMNE. Deputeti Brane Petrushevski tha se LSDM e ka pranuar që ka përgjuar nëpërmjet Agjencisë për Siguri Kombëtare dhe siç tha ai, në vend që të kërkojnë falje po manipulojnë rastin.

BRANE PETRUSHEVSKI, DEPUTET I VMRO-DPMNE-SË

LSDM duhet së pari të kërkojë falje për 5 vjet ndjekje të Mickoskit, gazetarëve dhe biznesmenëve, të cilët së bashku me familjet e tyre ishin nën mbikëqyrje të vazhdueshme nga shërbimet. Pasi të kërkojnë falje, duhet t’i kërkojnë llogari Viktor Dimovskit, Erolld Musliut dhe Ljupço Kocevskit. Në vend të kësaj, shohim se si LSDM i mbron të gjithë ata që i keqpërdorën institucionet, sepse ata padyshim punonin me një detyrë partiake. Prokuroria Publike nuk mund të heshtë me ditë të tëra dhe të mos ndërmarrë asnjë veprim”.

Nga VMRO thonë se nëse Prokuroria Publike dhe Kocevski mbeten spektatorë të heshtur, duhet ta dinë se do të jenë përgjegjës për rastin, ndërkaq nga LSDM i bën thirrje Drejtorit të ASK-së Bojan Hristovski, t’i deklasifikojë dokumentet dhe ta vendosë interesin e shtetit para atij të partisë.

Medina Ajeti Ali /SHENJA/

MARKETING