(VIDEO) 5 vjetori i anëtarësimit në NATO, bota e pasigurt, kërkohen më shumë investime në mbrojtje

(VIDEO) 5 vjetori i anëtarësimit në NATO, bota e pasigurt, kërkohen më shumë investime në mbrojtje

Presidentja dhe komandatja supreme e Armatës, Gordana Siljanovska Davkova, në shënimin e 5 vjetorit të anëtarësimit në NATO, i bëri thirrje shtetit që të investojë më shumë në mbrojtje, veçanërisht në teknologjitë dhe armët e avancuara, nën hijen e kërcënimeve globale të sigurisë, duke përfshirë sulmet hibride dhe kibernetike. Presidentja theksoi se, ndodhemi në periudhën ndoshta më kritike gjeopolitike pas Luftës së Ftoftë dhe kërcënimet e sigurisë imponojnë nevojën e investimeve më të mëdha në mbrojtje, përfshirë edhe teknologjitë përparuese.

Gordana Siljanoska – Davkova, presidente e shtetit

“Si shtet, duhet të investojmë në mbrojtjen dhe sigurinë e Maqedonisë, do të vazhdojmë të kontribuojmë për paqen përmes pjesëmarrjes në misionet paqësore të udhëhequra nga NATO dhe OKB. Do të harmonizohemi me standardet e NATO-s dhe me politikën e përbashkët të mbrojtjes dhe sigurisë së BE-së. Investimi ynë në aleancë, është njëkohësisht investim edhe në armatën tonë”.

Ministri i Mbrojtjes, Vllado Misajllovski, duke folur për tragjedinë e Koçanit, mes tjerash, bëri thirrje për unifikim mes qytetarëve dhe ndërtimin e një shoqërie të zhvilluar. Ai theksoi se NATO nuk është vetëm një aleancë ushtarako-politike dhe një organizatë që mbron kufijtë e jashtëm të shteteve anëtare të saj, por edhe një aleancë që, pavarësisht nga të gjitha pikëpamjet e ndryshme për një mori temash, ka një thelb të përbashkët – kujdesin për njëri-tjetrin.

Vllado Misajllovski, Ministër i Mbrojtjes

“Kjo është vlera më e madhe në Aleancë, shtylla që na mban të drejtë edhe në momentet më të vështira të jetës njerëzore. Kjo është forca jonë kolektive! I falënderoj secilin prej tyre nga thellësia e zemrës dhe u them – unë dhe qytetarët maqedonas nuk do ta harrojmë kurrë mbështetjen e tyre”.

Komandanti i komandës së përbashkët të forcave aleate në Napoli, admirali Stuart Munch, kujtoi se Maqedonia e filloi rrugën e saj drejt anëtarësimit në NATO 30 vjet më parë dhe ka treguar vendosmëri dhe përkushtim për reforma, kapërcyer pengesat dhe është nisur drejt transformimit.

STUART MANÇ, ADMIRAL I NATO-S

“Ky rajon dhe bota jonë do të vazhdojë të përballet me sfida komplekse të shkaktuara nga tensionet në rritje dhe ndikimi i atyre që kërkojnë të minojnë vlerat dhe mënyrën tonë të jetesës. Së bashku, 32 vendet e NATO-s do të mbeten të bashkuar për sfidat, sepse ne e dimë se mbrojtja e paqes është jetike. Paqja është mënyra më e mirë për të siguruar paqen dhe stabilitetin afatgjatë. Paqja është baza e përparimit dhe prosperitetit për të gjithë”.

Kujtojmë se, më 27 mars të vitit 2020 Maqedonia e Veriut u bë anëtare e 30-të e NATO-s. Anëtarësimit në këtë aleancë, i kishte paraprije ndryshimi i emrit të shtetit, për shkak të kontestit me Greqinë, e cila për vite me radhë kishte bllokuar integrimin atlantik të vendit.

Teuta Buçi /SHENJA/

MARKETING