(VIDEO) 37% e policëve kanë marrë pushim mjekësor pa qenë të sëmurë
MARKETING
Fondi i Sigurimit Shëndetësor me kërkesë të Ministrisë së Punëve të Brendshme , ka kryer kontroll të detajuar mbi pushimet mjekësore të të punësuarve në këtë institucion, duke konstatuar një numër të konsiderueshëm parregullsish. Drejtori i Fondit, Sasho Klekovski, njoftoi se kontrolli është realizuar në gjysmën e dytë të vitit 2025 dhe ka përfshirë 80 persona të siguruar, me gjithsej 514 raste pushimesh mjekësore. Nga këto, ai tha se 258 raste kanë zgjatur deri në 7 ditë, 171 deri në 15 ditë, ndërsa 83 raste kanë qenë me kohëzgjatje prej 30 ditësh ose më shumë. Gjatë kontrollit janë konstatuar parregullsi te 29 nga 80 personat e kontrolluar, që përbën rreth 37 për qind të rasteve të përfshira.
MARKETING
SASHO KLEKOVSKI, DREJTOR I FONDIT TË SIGURMIT SHËNDETËSOR
“Këta 29 persona kanë shfrytëzuar gjithsej 236 pushime mjekësore, prej të cilave 100 janë vlerësuar si të lëshuara në mënyrë të parregullt, ndërsa 136 kanë qenë të rregullta. Kjo do të thotë se parregullsi janë konstatuar në 100 nga gjithsej 514 pushime mjekësore, përkatësisht rreth 19,5 për qind e numrit të përgjithshëm të pushimeve të kontrolluara”.
Për të gjitha parregullsitë e konstatuara, Klekovski tha se janë në zhvillim procedura për vendosjen e gjobave në një shumë totale prej 1,2 milionë denarësh.
SASHO KLEKOVSKI, DREJTOR I FONDIT TË SIGURMIT SHËNDETËSOR
“Ky aktivitet i Fondit është pjesë e kontrolleve të shtuara mbi pushimet mjekësore në sektorin publik, ku vitet e fundit janë regjistruar dyshime të konsiderueshme për abuzime me sistemin e paaftësisë së përkohshme për punë”.
Drejtori njoftoi se diagnozat më të shpeshta për dhënien e pushimeve mjekësore kanë qenë sëmundjet e sistemit respirator, duke përfshirë 82 raste, sëmundjet e sistemit muskulor dhe indeve lidhore 69 raste, si dhe sëmundjet e sistemit digjestiv, ku ka pasur 45 raste.
Samir Mustafa /SHENJA/

