(VIDEO) 30 vjet nga gjenocidi i kryer nga forcat serbe në Srebrenicë

(VIDEO) 30 vjet nga gjenocidi i kryer nga forcat serbe në Srebrenicë

Mijëra persona janë mbledhur në Srebrenicë për të shënuar 30-vjetorin e gjenocidit të shkaktuar nga forcat serbe. Në Qendrën Përkujtimore në Potoçari janë varrosur shtatë viktima të gjenocidit. Viktimat më të reja janë Senajid Avdiq dhe Hariz Mujiq, të cilët ishin 19 vjeç kur u vranë në korrik të vitit 1995. Përfaqësuesi i myslimanëve të Bosnjës, Husein Efendi Kavazoviq, ka thënë në nisje të ceremonisë së varrimit se Srebrenica është mesazh që e keqja nuk qëndron në vend.

Ndërkohë sot është përuruar Muzeu i Gjenocidit në Srebrenicë, i cili mbulon periudhën nga viti 1992, gjenocidin kundër boshnjakëve dhe periudhën pas verës së vitit 1995.

Në këtë ceremoni mori pjesë edhe kryetari i Asamblesë së Madhe Kombëtare të Republikës së Turqisë, Numan Kurtulmus. “Siç ka thënë i urti Alija Izetbegoviq: ‘Çfarëdo që të bëni, mos harroni gjenocidin. Sepse një gjenocid i harruar përsëritet’”, ka deklaruar kryeparlamentari turk.

Projekti i ndërtimit të Muzeut filloi në vitin 2021 nën patronazhin e Presidentit të Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan dhe u financua nga Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA).

Ndërkohë, seanca e 45-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës nisi sot me një minutë heshtje për viktimat e gjenocidit në Srebrenicë. Presidentja Vjosa Osmani ka shkruar në Facebook se pas tri dekadash, zëri i Nënave të Srebrenicës mbetet thirrja më e fortë kundër harresës dhe padrejtësisë. “Kosova qëndron përkrah tyre, sepse ne e dimë çfarë do të thotë dhimbja e humbja, por dhe angazhimi i palodhur për drejtësi. Le të mos harrojmë kurrë, le të mos heshtim kurrë!”, ka shkruar Osmani. /SHENJA/

 

MARKETING