(VIDEO) 30 ditë paraburgim për tre policët e Kosovës që u rrëmbyen nga forcat serbe
Gjykata serbe ka lënë 30 ditë në paraburgim tre policët e rrëmbyer në veri të Kosovës. Pas 48 orësh ndalim policor, tre policët e arrestuar të Kosovës, R.Z, B.S dhe M.S, u paraqitën në prokurori ku Prokurori i Lartë Publik ka propozuar paraburgim për 30 ditë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretëria e Bashkuar ka bërë thirrje për lirimin e menjëhershëm të tre policëve të Kosovës të arrestuar më 14 qershor nga forcat serbe në veri të Kosovës.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi gjatë fjalës së mbajtur në Forumin e Prespës, në Strugë, se prokurori në Serbi ka hedhur poshtë akuzat për terrorizëm kundër tre policëve të arrestuar të Kosovës. Kurti tha se policët akuzohen në mënyrë të paligjshme për posedim të armëve të zjarrit. Shefi i qeverisë në Prishtinë shprehu falenderimin e tij për deklaratën e DASH, ku u kërkua lirimi i mënjehrshëm i policëve të Kosovës.
Albin Kurti
“Dua ta falënderoj Departamentin amerikan të Shtetit që kërkoi lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të tre policëve të Kosovës. Kjo është rruga përpara. Së pari, këta policë duhet të kthehen, por, në të njëjtën kohë, bashkësia ndërkombëtare duhet ta dënojë me vendosmëri dhe qartë agresionin e Serbisë në Kosovë”.
Ai, po ashtu, tha se NATO-ja duhet ta dënojë shkeljen që, sipas tij, i bëri Serbia Marrëveshjes së Kumanovës, e cila i dha fund luftës në Kosovë më 1999.
Përfaqësuesi i Përhershëm i ShBA-ve në OSBE, ambasadori Michael Carpenter ka kërkuar lirimin e menjëhershëm dhe pakushte të tre zyrtarëve policorë të Kosovës të rrëmbyer nga Serbia.
Në takimin e radhës, në kuadër të pjesëmarrjes së tij në Forumin e Prespës në Strugë, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, e zhvilloi me ambasadorin Carpenter, ku biseduan për situatën në vend pas rrëmbimit nga forcat serbe të tre zyrtarëve policorë brenda territorit të Republikës së Kosovës dhe për përkushtimin e institucioneve të vendit për depërshkallëzim dhe normalizim të plotë të situatës në katër komunat në veri të Republikës së Kosovës.
Ndërkohë në katër komunat në veri të kosovës stuata mbetet e tensionuar. Serbët në katër komunat veriore për çdo ditë sulmojnë policët e kosovës, gazetarët dhe kameramanët. Gjatë natës u raportua për tre shpërthime në afërsi të stacioneve policore ku u dëmtua edhe një automjet i policisë. Policia konfirmoi për mediat se shpërthimet kanë ndodhur në Mitrovicë të Veriut dhe në Zveçan.
Ndërsa në Leposaviç, dhjetëra serbë protestuan para ndërtesës së komunës, madje edhe duke tejkaluar kordonin e forcave të KFOR. Edhe pse nuk pati përplasje fizike, tensionet mbeten të larta. /SHENJA/