(VIDEO) 30 ditë paraburgim në burgun e Shutkës për gjykatësin e supremes Naqe Georgiev

(VIDEO) 30 ditë paraburgim në burgun e Shutkës për gjykatësin e supremes Naqe Georgiev

Gjyqtari i procedurës paraprake në Gjykatën Themelore Penale Shkup, me propozim të Prokurorisë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, gjykatësit suprem Naqe Georgiev, i ka shqiptuar paraburgim prej 30 ditësh. Ai dyshohet për veprën penale të marrjes së shpërblimit për ndikim të paligjshëm dhe gjyqtari beson se mund të shkatërrojë provat nëse lihet i lirë.

GJYKATA THEMELORE PENALE SHKUP

“Pas deklaratës së të dyshuarit në prani të avokatit të tij, si dhe shqyrtimit të fakteve dhe provave të dorëzuara nga Prokurori Publik, gjyqtari i procedurës paraprake ka marrë vendim lidhur me propozimin për paraburgim. Të dyshuarit i caktohet masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh për shkak të ekzistimit të bazave nga neni 165 paragrafi 1 pika 2 dhe 3, pra mund të pengojë procedurën penale duke ndikuar te dëshmitarët dhe mund ta përsërisë veprën penale”.

Kundër këtij vendimi palët kanë të drejtë ankimimi  në Këshillin Penal. Për të dyshuarin e dytë, prokurorin Ixhet Memeti, i cili është anëtar i Këshillit të Prokurorëve Publik, prokurori publik nga Prokuroria Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit i ka dorëzuar propozim gjyqtarit të procedurës paraprake në Gjykata Themelore Penale në Shkup për caktimin e masave të sigurimit, përkatësisht konfiskimin e pasaportës dhe letërnjoftimit dhe masat të zgjasin për aq kohë sa të jetë nevoja, e më së voni deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit. Gjykata ende nuk ka marrë një vendim.

Georgiev dhe Memeti dyshohen për veprën penale “marrje e shpërblimit për ndikim të kundërligjshëm”. Ata i premtuan djalit të ish-kryetarit të dënuar Boro Stojçev se për 10 mijë euro do ta ndihmojnë babain e tij në një tjetër hetim që po zhvillohet në Prokurorinë Publike për krim të organizuar dhe korrupsion. I biri ka parë që të dy po e gënjejnë, ndaj i ka denoncuar në Ministrinë e Brendshme, ku i kanë dhënë kartëmonedha të shënuara. Kur ai ia dorëzoi paratë e shënuara Georgievit, policia  e ka  kapur  Georgievin  në flagrancë.

Pas marrjes së propozimit për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit, i cili është gjyqtari aktual suprem, Gjykata Penale iu drejtua Këshillit Gjyqësor, si kompetent për të vendosur në lidhje me imunitetin e gjyqtarit, për të cilin këshilli ka marrë një vendim me të cilin i është hequr.

Samir Mustafa /SHENJA/

MARKETING