(VIDEO) 23 zjarre në hapësirë të hapur, katër janë zjarre aktive

Situata me zjarret në Republikën e Maqedonisë së Veriut vazhdon të jetë shqetësuese, me disa vatra ende aktive. Qendra e Menaxhimit të Krizave mëngjesin e sotëm informoi se janë evidentuar gjithsej 23 zjarre në hapësirë të hapur, prej të cilave njoftuan se në territorin e vendit ka katër zjarre aktive, si në komunat Çashkë, Likovë, Studeniçan dhe Makedonski Brod.
Qendra e Menaxhimit të Krizave
“Në komunën e Çashkës, mbi Bogomillë po digjet një pyll i përzier, në komunën e Likovës midis fshatrave Vaksincë dhe Sllupçan është djegur një pyll i ulët, në komunën e Studeniçanit, më saktësisht pranë fshatit Dreçavicë, ka zjarr pyjor në male, ndërsa në komunën e Makedonski Brod pranë fshatit Greshnicë po digjet një pyll i degraduar me bimësi të ulët”.
Ndërkaq, tutje lanë të ditur që nën kontroll janë zjarret në komunën e Dollnenit, pranë fshatit Strovijë, pas vendit të quajtur Gajdarec – Klepalë, ku është djegur një pyll me bimësi të ulët, dhe në komunën e Zhelinës, në afërsi të fshatit Cerovë, ku po digjet një pyll i përzier.
Sipas informacioneve të QMK-së, në 24 orët e fundit deri më tani kanë arritur që të shuajnë gjithësej 17 zjarre të cilat ishin aktive. Autoritetet vazhdojnë që të jenë në teren për ta menaxhuar situatën dhe për ti vënën nën kontroll zjarret.
Anida Murati /SHENJA/