(VIDEO) 2023, nxënësit shqiptarë u përballën me protesta nga prindër maqedonas

(VIDEO) 2023, nxënësit shqiptarë u përballën me protesta nga prindër maqedonas

Protesta të prindërve maqedonas kundër mësimit shqip, libra shkollor me vonesë, paralajmërime të rrejshme për bomba, rezultate të ulëta në PISA, këto ishin disa nga ngjarjet që e karakterizuan vitin që lamë pas, në sferën e arsimit në vend.

Jo pak ditë, prindërit e nxënësve maqedonas në shkollën “Todor Janev” në Çashkë, protestuan duke kundërshtuar hapjen e paraleles me mësim në gjuhën shqipe, madje edhe i kishin ndaluar fëmijët të shkonin në shkollë në shenjë revolte, vetëm se nxënësit shqiptarë do të mësonin në gjuhën e tyre amtare. Në këtë shkollë fillore mësojnë 200 nxënës dhe prej tyre 70 janë shqiptarë, por mësimin deri tani  e kanë njekur në gjuhën maqedonase të shpërndarë nga klasa e parë deri në të nëntën.

Edhe nxënësit e shkollës “Njegosh” të Idrizovës, në mungesë të paraleles shqipe, mësimin janë detyruar të shkojnë ta ndjekin në shkollën fillore “Kongresi i Manastirit” në Çair.

Viti 2023 do të mbahet mend edhe për rezultatet e ulëta të testimit PISA. Nga gjithsej 81 shtete që ishin pjesë e testimit, sipas rezultateve të matematikës, me 389 pikë Maqedonia u gjend në vendin e 61-të. Sa i përket matjes së shkrim-leximit gjuhësor, pra leximit me kuptim, me 359 pikë vendi u rendit në vendin e 71-të. Në shkencat natyrore nxënësit tanë fituan 380 pikë, me çka vendi u rendit në vendin e 68-të.

Problematike ishte edhe pajisja e nxënësve me libra shkollor. Në fillim të vitit shkollor kishte mungesë të madhe të teksteve shkollore, pra mungonin më shumë se një e treta e teksteve në klasa të ndryshme. Thënë përmes numrave, nga gjithsej 123 tekste shkollore, mungonin 46. Për këtë fakt ministri Jeton Shaqiri mori  padi nga Komisioni për Parandalim dhe Mbrojtje nga Diskriminimi, për shkak se më 1 shtator nuk arriti të sigurojë tekste shkollore për të gjithë nxënësit.

Lajmërimet për bomba të vendosura nëpër shkolla, që filluan në tetor të vitit 2022, vazhduan edhe në 2023-shin. Për disa javë kishte evakuime të nxënësve të përditshme nga shkollat, opinion i shqetësuar dhe deklarata nga kompetentët dhe ekspertët se bëhet fjalë për sulme hibride në gjithë rajonin, qëllimi i të cilave sipas tyre ishte që të krijohet pasiguri dhe frikë. MPB dhe MASH ndryshuan protokollet dhe filluan realizimin e procedurave pa prishur rrjedhën e zhvillimit të mësimit me prani fizike të nxënësve dhe mësimdhënësve.

Po ashtu vazhdoi edhe implementimi i ndryshimit të Koncepcionit për arsimin fillor, i nisur në vitin 2020. Nxënësit e shkollës fillore dhe të mesme janë në pushim dimëror deri më 22 janar. Viti shkollor, për herë të parë këtë vit, do të përfundoj më 17 qershor dhe poashtu për herë të parë këtë vit do të ketë pushim pranveror, nga data 29 prill deri më 5 maj.

Emine Ismaili /SHENJA/

MARKETING