(VIDEO) 18 vjetori i Pavarësisë, Kosova feston dhe proteston
18 vjet më parë, deputetët e Kuvendit të Kosovës u mblodhën në një seancë që do të shënonte një kthesë historike. Pas viteve të luftës, administrimit ndërkombëtar dhe negociatave të gjata për statusin politik, Kosova shpalli Pavarësinë nga Serbia. Ndërkohë sot, në sheshin qendror të Prishtinës kanë parakaluar pjesëtarët e ushtrisë dhe policisë së Kosovës, si një prej pjesëve më emblematike të shtetësisë së re. Ky 18-vjetor po shënohet i përcjellë me një protestë masive të organizuar në mbrojtje të disa prej figurave kryesore që udhëhoqën lufëtn e UÇK-së dhe më pas edhe shpalljen e pavarësisë së vendit.
Në ceremoninë e mbajtur për këtë përvjetor, prej krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë ka folur edhe kryeministri Albin Kurti.
ALBIN KURTI, KRYEMINISTËR I KOSOVËS
“Në këtë ditë feste, nuk i mbyllim sytë para padrejtësive. Disa nga drejtuesit e luftës sonë çlirimtare po vazhdojnë të mbahen në paraburgime të stërzgjatura në Hagë, në procese gjyqësore jo transparente dhe krejt të pashembullta për praktikat e drejtësisë ndërkombëtare. Ne besojmë në drejtësi, por nuk pranojmë ta rishkruajmë historinë”
Edhe presidentja Vjosa Osmani ka deklaruar se është e papranueshme çdo përpjekje për të barazuar viktimën me agresorin. Ajo bëri thirrje që të jenë të gjithë së bashku në mbrojtje të luftës çlirimtare.
VJOSA OSMANI, PRESIDENTE E KOSOVËS
“Krerët e UÇK-së që gjenden në Hagë, së bashku me mijëra luftëtarë të tjerë dhe me mbështetjen e palëkundur të popullit të Kosovës, u ngritën për liri, dinjitet dhe për të drejtën e patjetërsueshme për të jetuar të lirë në atdheun e tyre”
Ndërkohë, presidentja Osmani i është bashkuar marshit të protestuesve, ndërsa në krah të tij ëstë parë edhe kreu i BDI-së, Ali Ahmeti.
Në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës ka folur edhe presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, i cili ka deklarur se Republika e Kosovës është një realitet i pakthyeshëm.
BAJRAM BEGAJ, PRESIDENT I SHQIPËRISË
“Në jetën e një shteti, ky përvjetor është dëshmia se Republika e Kosovës është një realitet i pakthyeshëm, një shtet sovran. Kosova ishte vendi ku liria vritej; sot është vendi ku liria funksionon, ku liria frymëzon”
Urim ka dërguar edhe presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, e cila deklaroi se si vende mike, dy vendet ushqejnë marrëdhënie të mira fqinjësore dhe punojmë drejt përmbushjes së vizionit të përbashkët për integrimin evropian të rajonit. Edhe kryeparlamentari Afrim Gashi, deklaroi se Pavarësia e Kosovës përfaqëson triumfin e vullnetit të lirë të qytetarëve për të ndërtuar një shtet demokratik, të drejtë dhe të orientuar drejt së ardhmes europiane. /SHENJA/

