(VIDEO) Klinika e Toksikologjisë: 18 të helmuar me alkool, një 13-vjeçar humb gishtërinjtë

(VIDEO) Klinika e Toksikologjisë: 18 të helmuar me alkool, një 13-vjeçar humb gishtërinjtë

Në natën e ndërrimit të viteve në Klinikën e Toksikologjisë në Shkup me helmim akut nga alkooli janë pranuar 18 pacientë. Pacienti më i vogël është 14 vjeç ndërsa një fëmijë 13 vjeçar ka pësuar lëndime të rënda në dorë nga petardat dhe do të ketë invaliditet të përhershëm. Drejtori i klinikës së toksikologjisë në Shkup Andon Çibishiev tha se kanë pasur më pak pacientë se vitin e kaluar dhe se në përgjithësi nata ka qenë e qetë.

ANDON ÇIBISHIEV, DREJTOR I KLINIKËS SË TOKSIKOLOGJISË, SHKUP

“Në Klinikën Universitare të Toksikologjisë, nata e ndërrimit të viteve kaloi mjaft qetë. Janë kontrolluar gjithsej 21 pacientë, 18 prej tyre ishin si helmim akut nga alkooli. Nga ata 18 katër pacientë  janë femra dhe 14 janë meshkuj. Në mesin e femrave, pacientja më e re është 17 vjeçare, më e madhja është 26 vjeç,  tek meshkujt, më i riu është 14 vjeç, dhe më i madhi është 38 vjeç. Si zakonisht, si çdo vit kemi më pak pacientë se vitin e kaluar”.

Drejtori i klinikës universitare për sëmundje kirurgjike “Shën Naumi i Ohrit” Nebojsha Nastov tha se edhe atje nata ka qenë e qetë, me numrin e zakonshëm të pacientëve emergjentë si në ditët normale. Ai tha se janë kontrolluar gjithsej 81 pacientë, pesë si pasojë e aksidenteve në komunikacion, tre nga çështjet personale  dhe janë kryer tre ndërhyrje operative.

NEBOJSHA NASTOV, DREJTORI I KLINIKËS UNIVERSITARE PËR SËMUNDJE KIRURGJIKE “ST.NAUM OHRIDSKI”

“Fatmirësisht gjatë natës së ndërrimit të viteve nuk ka pasur të lënduar nga fishekzjarret dhe armë zjarri, gjë që ka qenë më e shpeshtë në periudhën para festave. Në muajin e fundit ka pasur rreth 50 kryesisht të mitur nga mosha 12 deri në 17 vjeç.  Për fat të keq, po përdoren fishekzjarre më të mëdha me ngarkesë pluhuri më të madhe dhe u lënë dëme të përhershme fëmijëve”.

Në klinikën e traumatologjisë dhe sëmundjeve ortopedike në qendrën e urgjencës siç njoftoi dr. Igor Merxhanovski, ka pasur 30 % më pak punë se në vitet e kaluara.

IGOR MERXHANOVSKI, TRAUMATOLOG NGA KLINIKA E TRAUMATOLOGJISË DHE SËMUNDJEVE ORTOPEDIKE

“Janë kryer 35 kontrolle nga të cilat 9 persona nga aksidente me lëndime të lehta janë liruar për mjekim shtëpiak. Kemi dy pacientë nga sulmi fizik, njëri mbahet nën vëzhgim dhe do të lirohet në shtëpi gjatë ditës, si dhe një fëmijë 13-vjeçar me dëmtim të rëndë në dorë nga fishekzjarret, i cili tashmë është operuar në Klinikën e Kirurgjisë së Fëmijëve dhe  ngjanë se do të të jetë me invaliditet  në dorë. Është pranuar edhe një shtetas i huaj në gjendje të dehur me lëndime në kokë dhe qafë, i cili është hospitalizuar dhe është lëshuar për tretman shtëpiak”.

Vlerësimi i përgjithshëm i institucioneve shëndetësore në Shkup është se nata e ndërrimit të moteve ka kaluar mjaftë e qetë dhe me një vëllim të vogël të punës. Medina Ajeti Ali /SHENJA/

MARKETING