(VIDEO) 10% e banorëve të Trubarevës kanë probleme me mushkëritë

Ministria e Shëndetësisë, në bashkëpunim me Klinikën e Pulmologjisë, zhvilloi një skrining dyditor të popullsisë në Trubarevë, me qëllim zbulimin në kohë të simptomave të mundshme të sëmundjeve respiratore pas zjarrit të madh që goditi këtë lagje të Shkupit. Ministria e shëndetësisë informoi se gjatë dy ditëve janë kontrolluar rreth 200 pacientë 19 prej të cilëve kanë pas probleme me mushkëritë.
AZIR ALIU, MINISTËR I SHËNDETËSISË
“Vetëm gjatë ditës së djeshme u kontrolluan mbi 100 persona në dy pikat shëndetësore në Trubarevë, nga të cilët tetë u dërguan në Klinikën e Pulmologjisë për shkak të sëmundjeve kronike, për të cilat nuk kishin bërë kontrolle prej kohësh. Në total, gjatë dy ditëve u kontrolluan mbi 200 pacientë dhe aksioni u prit shumë mirë nga banorët lokalë”.
Ndërkaq, në ditën e oparë të skriningut u kontrolluan 111 qytetarë, 11 prej të cilëve kishin probleme me mushkëritë.
Sipas informatave nga ekipet e Klinikës, tek disa pacientë janë vërejtur simptoma si vështirësi në frymëmarrje, kollë e thatë dhe shtrëngim në kraharor, ndërsa tek të tjerë është zbuluar edhe tension i lartë.
Dr. Sead Zejneli nga Klinika e Pulmologjisë sqaroi se shumica e pacientëve të dërguar kanë pasur sëmundje kronike, të cilat janë përkeqësuar për shkak të ndotjes. Ai shtoi se një numër i madh banorësh kanë shfaqur simptoma si djegie të hundës, syve dhe fytit, si dhe shtrëngim më të lehtë në kraharor, të cilat, sipas tij, zakonisht tejkalohen me rekomandime të përgjithshme.
Skriningu u realizua në dy pika në lagje, ku ekipet kryen kontrolle klinike, matje të pulsit, saturimit dhe vlerësim të kapacitetit vital. Ministria e Shëndetësisë apeloi që të gjithë zyrtarët – zjarrfikës, policë dhe pjesëtarë të Mbrojtjes Civile – që morën pjesë në shuarjen e zjarrit, nëse kanë probleme shëndetësore, të paraqiten drejtpërdrejt në Klinikë. /SHENJA/