‘Vetëmenaxhimi’, Osmani: Për Asociacionin kemi vija të kuqe

Kosova ka një vijë të kuqe për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, e ajo është që të ai të mos ketë të drejta ekzekutive.

Kështu ka deklaruar presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në një intervistë për gazetën austriake “Die Presse. Ajo tha se po të kërkonte Austria një shoqatë të austriakëve në Kosovë, kjo nuk do të paraqiste problem, por shtoi se këtë po e kërkon një shtet që nuk e njeh Kosovën.
“Problemi kryesor është Serbia…e cila nuk dëshiron të avancohen të drejtat për serbët në Kosovë. Përkundrazi, ajo përdorë strukturat e saj ilegale në veri të Kosovës për t`i kërcënuar serbët që jetojnë atje. Ata thjesht duan ta bëjnë Kosovën jofunksionale si shtet, siç kanë bërë me Republikën Srpska në Bosnje e Hercegovinë. Ata duan një Milorad Dodik të dytë (President i Republikës Srpska) në Kosovë”, deklaroi Osmani.

Më tej ajo tregoi se për zbatimin e Asociacionit, duhet që të respektohen zotimet tjera të marrëveshjes dhe se nuk guxon të shkelet Kushtetuta e Kosovës.
“Nëse Kosova i respekton zotimet në kuadër të marrëveshjes, do të kujdeset të veprojë në përputhje me kushtetutën. Në vendimin e Gjykatës Kushtetuese po ashtu përmendet nevoja për respektimin e parimit të multietnicitetit. Një shoqatë e komunitetit serb do të duhej gjithashtu të respektonte të drejtat e grupeve të tjera etnike që jetojnë aty. Ne e kemi një vijë të kuqe: nuk duhet të ketë të drejta ekzekutive për një strukturë paralele administrative serbe. Por, në të njëjtën kohë, natyrisht, ne do t`i zbatojmë të gjitha të drejtat dhe liritë e pakicave sipas standardeve evropiane. Kjo duhet të shkojë paralelisht me zbatimin e pikave të tjera të marrëveshjes, siç është njohja e simboleve kombëtare. Serbia ka treguar se nuk dëshiron ta zbatojë këtë. Ne presim që edhe nëse Serbia vazhdon me bllokada, partnerët tanë do të mbështesin integrimin ndërkombëtar të Kosovës”, deklaroi ajo.

Në këtë intervistë Osmani ka komentuar edhe nisjen e procesit gjyqësor në Hagë kundër krerëve të UÇK-së.

“Jam e sigurt se drejtësia do të triumfojë. Dhe se në fund të këtij procesi do të konfirmohet se Ushtria Çlirimtare e Kosovës- UÇK-ja ka bërë luftë çlirimtare për mbrojtjen e njerëzve të pambrojtur. Ata mbrojtën vendin dhe popullin e tyre kundër regjimit gjenocidal të Sllobodan Millosheviqit”, ka deklaruar Osmani.

MARKETING