Vedat Muriqi shumë pranë largimit nga Mallorca – dy gjigantët turq në garë për shërbimet e tij
Sipas një raportimi të fundit nga mediumi turk Aksam, Vedat Muriqi duket se është shumë pranë largimit nga Mallorca dhe pritet rikthimi i tij në Superligën e Turqisë.
Muriqi i cili paraprakisht ka qenë pjesë e Fenerbahces klub nga i cili u largua në vitin 2020, pritet që të rikthehet sërish në elitën e futbollit turk ku tashmë janë dhënë edhe disa detaje që fshihen prapa kësaj lëvizje.
Galatasaray po e kërkon sulmuesin kosovar për shkak të lëndimit të rëndë që ka pësuar Mauro Icardi ndërkohë drejtuesit e Fenerbahces nuk po i bind marokeni Youssef En-Nesyri.
Gjithnjë sipas raportimit, Muriqi ka dhënë ‘dritën e gjelbër’ për rikthimin në Turqi pasi tashmë e njeh ambientin atje.
Për transferimin e Muriqit do të duhej që në drejtim të Mallorcas të paguhen rreth 5 milionë euro, ndërsa lojtari pritet që të nënshkruajë një kontratë tri vjeçare.
Deri më tani nuk dihet se kush nga dy klubet është më favorite për të siguruar shërbimet e Muriqit, por këtu pritet të luajë rol edhe dëshira e vet lojtarit dhe në ditët në vazhdim pritet të ketë zhvillime më të mëdha./Telegrafi/