Vdes në moshën 97-vjeçare zbuluesi i ADN-së
James Watson, një nga shkencëtarët që zbuloi strukturën e ADN-së, ka ndërruar jetë në moshën 97-vjeçare.
Watson ishte bashkëfitues i Çmimit Nobel në vitin 1962 për zbulimin e spirales dyshe të ADN-së, një arritje që ndryshoi rrënjësisht fushën e biologjisë dhe hapi rrugën për gjenetikën moderne.
Ai mori çmimin së bashku me Francis Crick dhe Maurice Wilkins, për kontributin e tyre vendimtar në identifikimin e strukturës molekulare që bart informacionin gjenetik në të gjithë organizmat. Ky zbulim konsiderohet një nga momentet më të rëndësishme të shkencës së shekullit XX.
Megjithatë, karriera e Watson nuk ishte pa polemika. Ai u bë i njohur për deklaratat e tij të diskutueshme mbi racën dhe biologjinë njerëzore, të cilat shumë herë shkaktuan zemërimin e publikut dhe kritika të gjëra. Disa nga këto deklarata e çuan atë të humbiste pozicionet akademike dhe titujt e nderit që kishte fituar, raporton bbc.
Në librin e tij “The Double Helix”, Watson shkruante me ton përbuzës për kolegen Rosalind Franklin, shkencëtarja, fotot e së cilës me rreze X ndihmuan drejtpërdrejt në zbulimin e strukturës së ADN-së. Për dekada të tëra, kontributi i saj u injorua në publikime dhe historitë shkencore.
Shumë nga thëniet më të njohura përfshinin komente mbi inteligjencën dhe shoqërinë, të cilat shkaktuan debate të ashpra në komunitetin shkencor dhe më gjerë. Ai shprehu qëndrime të forta mbi lindjen e fëmijëve, gjenetikën dhe shoqëritë e ndryshme, duke i vënë shpesh vetes në qendër të polemikave.
James Watson do të mbahet mend si një figurë që shënoi një revolucion shkencor, por gjithashtu si një personazh kontradiktor që ngjalli diskutime të ashpra mbi etikën dhe marrëdhëniet shoqërore të shkencëtarëve.
Trashëgimia e tij mbetet komplekse, duke përfshirë një nga zbulimet më të mëdha në historinë e biologjisë dhe polemikat që e shoqëruan atë gjatë jetës

