Vazhdon të thellohet kriza humanitare në Gaza, më të prekurit fëmijët palestinezë

Kriza e ushqimit në Rripin e Gazës po thellohet më tej pasi pikat kufitare mbeten të mbyllura për hyrjen e ndihmave humanitare për shkak të gjenocidit dhe bllokadës së vazhdueshme izraelite, raporton Anadolu.
Agresioni i vazhdueshëm izraelit ka përkeqësuar situatën humanitare në Rripin e Gazës, duke lënë shumë njerëz pa qasje në burimet thelbësore, përfshirë nevojën për ujë dhe ushqim, duke prekur më së shumti fëmijët palestinezë.
Mungesë ushqimore vërehet në të gjithë enklavën palestineze derisa disa organizata bamirëse po bëjnë përpjekje për të shpërndarë ushqim për palestinezët nëpër zona të ndryshme nën shkatërrimin e gjerë si pasojë e sulmeve izraelite, të cilët presin në radhë të gjatë për të marrë ushqim.
Më 18 mars, Izraeli rifilloi një fushatë të papritur të sulmeve ajrore në Gaza dhe që atëherë ka vrarë të paktën 1 mijë palestinezë dhe ka plagosur më shumë se 2 mijë të tjerë, duke thyer armëpushimin e muajit janar dhe marrëveshjen e shkëmbimit të të burgosurve midis Izraelit dhe Hamasit.
Që nga tetori i vitit 2023, gjenocidi i vazhdueshëm izraelit ka marrë jetën e të paktën 50.800 palestinezëve, shumica prej tyre gra dhe fëmijë.
Në muajin nëntor, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhër-arreste ndaj kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzit. Për luftën në enklavë, Izraeli gjithashtu përballet me një çështje gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.