Vazhdon procesi gjyqësor për zjarrin tragjik në diskotekën “Puls”
Në Gjykatën Themelore Penale të Shkupit sot pritet të mbahet një seancë e re lidhur me zjarrin tragjik që goditi diskotekën “Puls” në Koçan, ku humbën jetën 63 persona dhe mbi 200 të tjerë u plagosën. Në rend dite janë fjalët hyrëse të mbrojtjes së Aleksandar Nacevit, i konsideruar nga prokuroria si pronar joformal i agjencisë së sigurimit “Rubikon”, si dhe të personave juridikë “MMMM Kafe” SHPKNL Koçan dhe “Rubikon Security Solutions”.
Në seancën e mëparshme, prokurori Borçe Janev theksoi se gjykimi shkon përtej një procesi ndëshkimi, duke e cilësuar si një hap drejt përballjes publike me përgjegjësinë institucionale. “Zjarri nuk është vetëm pasojë e përdorimit të piroteknikës, por rezultat i viteve të dështimeve sistemike, heshtjes dhe mungesës së kontrollit. Klubi ishte shndërruar në një ‘kurth vdekjeprurës’”, deklaroi Janev.
Të gjithë të akuzuarit kanë mohuar fajësinë për “vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme”. Disa prej tyre, përmes avokatëve, shprehën ngushëllime për familjet e viktimave, por theksuan se tragjedia ishte pasojë e dështimeve institucionale dhe jo e përgjegjësisë së tyre personale.
Pronari i klubit, Dejan Jovanov, i cili ndodhet në paraburgim prej nëntë muajsh, tha se ende nuk mund ta besojë tragjedinë dhe se nuk do të kishte lejuar kurrë kushte të pasigurta në klub. Djali i tij, Mihail Jovanov, deklaroi se nuk ekzistojnë prova kundër tij. Mbrojtjet e të akuzuarve të tjerë – përfshirë ish-funksionarë dhe inspektorë – shtuan se kanë vepruar sipas ligjit dhe se nuk kishin kompetencë apo mundësi për të parandaluar zjarrin.
Sipas aktakuzës, diskoteka “Puls” ka funksionuar për vite me radhë në mënyrë të paligjshme, duke pritur më shumë vizitorë sesa lejohej, pa leje të nevojshme dhe pa sisteme mbrojtjeje nga zjarri. Zjarri që shpërtheu më 16 mars 2025 gjatë një performancë të grupit “DNK” u shndërrua në tragjedinë më vdekjeprurëse të këtij lloji në vend, duke lënë plagë të thella te familjet e viktimave dhe në gjithë shoqërinë.

