Vazhdohet paraburgimi për të akuzuarit për zjarrin në diskotekën “Puls”, aktakuza i dorëzohet mbrojtjes

Gjykata penale kumtoi se është vazhduar paraburgimi i të akuzuarve për zjarrin në diskotekën “Puls” në Koçan. Njëheri prej aty informojnë se aktakuza tashmë u dërgua deri te të gjithë të akuzuarit dhe avokatët e tyre, e pasi ta marrin, fillon afati prej tetë ditëve për ankesë. Pas skadimit të këtij afati, Këshilli gjyqësor do të mbajë mbledhje dhe do ta informojë opinionin për hapat e ardhshme. Gjykata, po ashtu, konfirmoi se Prokuroria themelore publike Shkup do ta udhëheq pjesën e mëtejshme të procedurës.
“Duke marrë parasysh interesin e opinionit për lëndën penale lidhur me zjarrin në diskotekën ‘Puls’ në Koçan, gjykata njofton se Këshilli gjyqësor pranë kësaj gjykate, duke vepruar me propozim të Prokurorisë themelore publike – Koçan për vazhdimin e masave për sigurimin e pranisë së të akuzuarve, të akuzuarve D.J. nga Koçani, T.J. nga Koçani, Xh.K. nga Shkupi dhe B.H. nga Shkupi ua vazhdoi masën e paraburgimit, ndërsa të akuzuarve M.S., O.G., L.P., I.G., M.G., S.D., të gjithë nga Koçani, pastaj J.J. dhe L.G. nga Shkupi, si dhe B.M. dhe Sh.H. nga Tetova dhe E.M. nga Vinica u vazhdohet masa e paraburgimit shtëpiak”, qëndron në kumtesën e Gjykatës penale.
Lidhur me aktakuzën konkrete të KOOA 155/25, prej aty informojnë se më 02.07.2025 në orët e pasditës, dosjet e lëndës iu dorëzuan gjykatës, së bashku me tërë materialin dëshmues, mes të cilave ekspertiza, dokumentacion mjekësor, si dhe pajisje teknike të marrë gjatë hetimit. Pastaj, lënda dhe të gjitha prozimet janë vulosur në sistemin AKMIS, e ditën e ardhshme akti është sistemuar në këshill për vlerësim të të njëjtit.
Po ashtu, gjykata e informon opinionin se gjatë ditës së djeshme, më 17.07.2025 në këtë gjykatë është dorëzuar vendim i Prokurorisë publike të Republikës së Maqedonisë së Veriut nr. 367/25 nga 15.07.2025, me të cilën për prokurori lokale dhe kompetente për veprim për aktakuzën konkrete, përcaktohet Prokuroria themelore publike Shkup.
Prej aty apelojnë të respektohen të drejtat e të gjitha palëve të involvuara, si dhe afatet ligjore.
Në pajtim me aktakuzën, 34 persona fizikë dhe tre juridikë, të akuzuar për zjarrin në diskotekën “Puls” ngarkohen për vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme.
Mes të akuzuarve janë pronarë të lokaleve, menaxherë, inspektorë, kryetarë komunash, anëtarë të sigurimit dhe zyrtarë shtetërorë.
Për shkak të mungesës së dëshmive të mjaftueshme, procedura ndalet për 11 persona, mes të cilëve edhe dy ish ministra.
Në zjarrin që ka ndodhur më 16 mars të këtij viti, jetën e kanë humbur 62 persona, mes të cilëve edhe gjashtë fëmijë, ndërsa mbi 200 u lënduan.