Vapa ekstreme çan autostradën A2 në Gjermani, mbi 20 automjete dëmtohen
Temperaturat ekstreme që kanë përfshirë Gjermaninë kanë shkaktuar dëme të mëdha në autostradën A2, ku sipërfaqja e betonit u ça në disa segmente, duke dëmtuar mbi 20 automjete dhe duke lënë të plagosur lehtë dy persona.
Ngjarja ndodhi në segmentin mes Ziesar dhe Wollin, në drejtim të Berlinit, ku nxehtësia e lartë bëri që betoni të zgjerohej dhe të ngrihej, duke krijuar çarje të rrezikshme në rrugë. Shumë drejtues mjetesh nuk arritën t’i shmangnin dëmtimet, ndërsa gomat, disqet, parakolpët dhe pjesët e poshtme të automjeteve u shkatërruan nga përplasja me sipërfaqen e deformuar.
Sipas autoriteteve gjermane, dy persona pësuan lëndime të lehta si pasojë e aktivizimit të airbagëve, ndërsa dëmet materiale vlerësohen në rreth 100 mijë euro.
Pas incidentit, autostrada A2 u mbyll plotësisht në drejtim të Berlinit, duke shkaktuar kolona të gjata automjetesh. Ekipet e mirëmbajtjes kanë nisur punimet për zëvendësimin e betonit të dëmtuar me asfalt, ndërsa rihapja e segmentit pritet të bëhet pas përfundimit të riparimeve.
Autoritetet njoftuan se dëmtime të ngjashme nga temperaturat e larta janë regjistruar edhe në segmente të tjera të autostradës A2, si dhe në autostradën A10 pranë Berlinit, ku është mbyllur një korsi për arsye sigurie.
Ekspertët shpjegojnë se rrugët e vjetra prej betoni janë më të ekspozuara ndaj fenomeneve të tilla, pasi zgjerimi i materialit nga nxehtësia krijon presion të madh, duke bërë që sipërfaqja të çahet ose të ngrihet papritur.

