Vala e të nxehtit ekstrem përfshin Evropën, 20 viktima në Francë që nga fundjava

Vala e të nxehtit ekstrem përfshin Evropën, 20 viktima në Francë që nga fundjava

Ministrja franceze e Sportit, Marina Ferrari tha sot se rreth 20 persona kanë vdekur si pasojë e mbytjes në ujë që nga fillimi i fundjavës ndërsa vendi po përballet me valën e të nxehtit në rritje, transmeton Anadolu.

Ferrari tha për transmetuesin “France Inter” se ka patur “rreth 20 vdekje që nga fillimi i fundjavës”. Njëzet e tetë departamente janë vendosur në rrezik të lartë për zjarre pyjore ndërsa numri do të jetë 34 për të mërkurën, sipas transmetuesit BFMTV.

Vendi regjistroi natën më të nxehtë ndonjëherë që nga viti 1947, me një tregues termik kombëtar për temperaturat minimale prej 21.6 gradë Celsius. Temperatura mesatare kombëtare në Francë theu rekord të ri mujor të hënën me 29.2 gradë Celsius, raportoi BFMTV, duke cituar shërbimin kombëtar të motit “Meteo-France”.

Për të martën, 54 departamente janë në alarm të kuq dhe 35 nën alarm portokalli pasi temperaturat pritet të arrijnë në 40 gradë Celsius. Edhe disa vende të tjera evropiane po përgatiten për temperatura të larta.

Zyra e Meteorologjisë e Britanisë së Madhe (Met Office) lëshoi alarm të kuq për të nxehtin ekstrem për të mërkurën dhe të enjten, me parashikime që tregojnë se rekordi ditor i të gjitha kohërave të qershorit mund të thyhet.

Në Spanjë, shërbimi kombëtar i motit “Aemet” lëshoi alarm të kuq dhe portokalli në shumicën e pjesëve të vendit, pasi temperaturat pritet të arrijnë në 44 gradë Celsius. Disa rajone të Portugalisë pritet të përjetojnë temperatura afër 40 gradë Celsius ndërsa Italia gjithashtu lëshoi alarm të kuqe dhe portokalli në disa qytete.

Temperaturat do të mbeten mbi 30 gradë Celsius të martën në të gjithë Belgjikën ndërsa ato parashikohen të lëvizin midis 33 gradë Celsius dhe 39 gradë Celsius deri në fund të javës, sipas transmetuesit RTL, duke cituar Institutin Mbretëror Meteorologjik.

MARKETING