Vaksina sërish problem, Djokovic përjashtohet nga turneu në Amerikë

Vaksina sërish problem, Djokovic përjashtohet nga turneu në Amerikë

Novak Djokovic nuk do të mund të marrë pjesë në turneun e Indian Wells që zhvillohet në Amerikë duke nisur nga e mërkura e kësaj jave dhe që do të zgjasë deri më datë 19 mars.

Janë vetë organizatorët e turneut ata të cilët kanë zyrtarizuar këtë vendim, teksa në Amerikë ende është në fuqi ligji që ndalon këdo shtetas të huaj të shkelë në SHBA pa qenë më parë i vaksinuar kundër COVID-19.

Në këtë formë, numri një i botës penalizohet sërish prej vaksinës kundër COVID-19 teksa kujtojmë se serbi nuk mundi të luante edhe në Australian Open të vitit 2022.
Një turne në të cilin u rikthye në vitin 2023, madje duke e fituar atë ndërsa koleksionoi trofeun e 22-të Grand Slam po aq sa Rafael Nadal.

Së fundmi, Djokovic ishte duke kaluar një formë shumë të mirë duke lënë pas problemet fizike ndërsa mbërriti edhe në 20 ndeshje pa humbje, para se të mposhtej nga Daniil Medvedev në gjysmëfinalen e ATP Dubai.

Ndërkohë, me Djokovic jashtë turneut të Indian Wells, ai që përfiton është Nikoloz Basilashvili që tashmë është pjesë e tenistëve që do të nisin kompeticionin Masters 1000 nga e mërkura e kësaj jave.

MARKETING